Raphaël Varane nuk ka kujtime të mira me Erik ten Hag, trajnerin nën urdhrat e të cilit luajti te Manchester United, skuadra e tij e parafundit, përpara se të njoftonte tërheqjen e papritur në shtator të vitit të kaluar.
Përpjekja e tij për t’i dhënë fund karrierës me nder te Como, nën drejtimin e Cesc Fàbregas, u ndërpre nga dëmtimet në gju.
Në një intervistë për “The Athletic”, ish-mbrojtësi i Francës shprehet i habitur që Manchester United vendosi ta mbante Ten Hag verën e kaluar, kur situata ishte veçse e përkeqësuar. Ai zbulon gjithashtu se nuk pati gjithmonë një marrëdhënie të mirë me të dhe se shpeshherë ishte në konflikt me liderët e ekipit.
“Kjo është mënyra e tij për të drejtuar, – thotë francezi.
– Më befasoi klubi që e lejoi të vazhdonte verën e kaluar, sepse nuk kishte më asnjë lidhje me grupin e lojtarëve të Manchester United. Marrëdhënia ime me të? Është e vështirë të gjej fjalët e duhura. Kishte momente shumë të tensionuara. Ndonjëherë përpiqej të dëgjonte mendimet e lojtarëve, por ndonjëherë merrte vendime pa marrë parasysh ndjesitë tona. Kështu që kishte ulje-ngritje. Ishte e ndërlikuar”.
Mbrojtësi ishte titullar i rregullt nën drejtimin e Ten Hag për një kohë të gjatë, por humbi vendin në formacionin bazë në tetor të sezonit të kaluar: “Patëm një diskutim të ashpër. I thamë gjërat hapur, por pas asaj bisede nuk luajta për gati dy muaj. Ishte një konflikt i vazhdueshëm. Kjo ishte mënyra e tij e drejtimit”.