Ademola Lookman ka reaguar ndaj deklaratave të Gian Piero Gasperinit. Një ditë pas ndeshjes Atalanta-Bruges, ku nigeriani humbi një penallti vendimtare për rezultatin 3-2, sulmuesi ka përdorur Instagramin për të shprehur zhgënjimin e tij.
“Më trishton që duhet ta bëj këtë deklaratë në një ditë si kjo, sidomos pas asaj që kemi arritur së bashku si skuadër dhe si qytet. Të veçohesha në këtë mënyrë jo vetëm që më lëndon, por më duket gjithashtu shumë e pasjellshme, sidomos duke pasur parasysh punën e palodhur dhe përkushtimin tim të vazhdueshëm për ta ndihmuar këtë klub dhe tifozët e jashtëzakonshëm të Bergamos.
E vërteta është që kam kaluar shumë momente të vështira gjatë qëndrimit tim këtu, shumicën e të cilave nuk i kam ndarë kurrë me askënd, sepse për mua ekipi duhet të mbrohet dhe të vihet gjithmonë në plan të parë. Kjo e bën atë që ndodhi edhe më të dhimbshme”.
Më tej, Lookman shtoi: “Ashtu si tifozët tanë të jashtëzakonshëm, edhe ne si ekip po vuajmë për rezultatin e së martës mbrëma. Gjatë ndeshjes vendosa ta godisja unë penalltinë. Për ta ndihmuar ekipin, mora përgjegjësinë në atë moment. Jeta është e mbushur me sfida dhe duhet ta kthejmë dhimbjen në forcë, gjë që do të vazhdoj ta bëj”.
Këto fjalë të Lookman erdhën si përgjigje ndaj deklaratave të Gasperinit pas ndeshjes, që ndezën polemikat: “Nuk duhej ta gjuante ai, është një nga goditësit më të këqij të penalltive që kam parë ndonjëherë.
Ekzekutuesit e caktuar të penalltive ishin De Ketelaere dhe Retegui, por mesa duket ai ishte shumë euforik dhe ndodhi kjo. Mund ta kishim humbur edhe me dikë tjetër, por nuk ishte një veprim i duhur”.