Tebas, mbi mundësinë që Real Madridi të largohet nga La Liga: Është e pamundur

Futboll

Tebas, mbi mundësinë që Real Madridi të largohet nga La Liga: Është e pamundur

Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 14:22
Javier Tebas

Javier Tebas ishte protagonisti kryesor i “Los Desayunos de La Crónica de Badajoz”. Presidenti i La Liga-s foli për çështjet aktuale që prekin ligën spanjolle dhe klubet e saj. Ai e konsideroi të pamundur që Real Madridi të luajë në një kampionat tjetër, pavarësisht spekulimeve që lidhen me përplasjet e klubit të bardhë dhe arbitrave.

Mbi mundësinë që Real Madridi të largohet nga La Liga dhe të luajë në një kampionat tjetër: “Është një trillim, është e pamundur dhe ata vetë e dinë këtë. Ekziston një Ligj i Sportit që thotë se klubet spanjolle janë të detyruara të luajnë në kompeticionet kombëtare. Këto thashetheme përhapen vetëm për të forcuar strategjinë që po ndjekin, po në cilën ligë do të shkojnë?”

Rreth sistemit arbitral: “Sistemi arbitral në Spanjë mund të përmirësohet, por nuk është i manipuluar. Kur shpërtheu çështja ‘Negreira’, organizuam një takim me klubet për të diskutuar ndryshime në sistem, që ai të mos varej nga një organ i vetëm, por Real Madridi nuk mori pjesë. Këtu ka një narrativë të qartë për të dëmtuar ligën kombëtare. Nëse çdo klub do të kishte kanalin e vet televiziv, kjo do të ishte katastrofë”.

Gjykimi ndaj Rubiales: “Ai ishte president i Federatës, prandaj duhej ta kontrollonte euforinë. Duket e rëndë të quhet ‘sulm seksual’, por kështu e përcakton Kodi Penal. Është një sjellje e dënueshme ligjërisht”.

Tebas shprehu shqetësimin e tij për rënien e të ardhurave televizive në ligat kombëtare si pasojë e formatit të ri të Ligës së Kampionëve. Ai theksoi se vende si Italia dhe Belgjika tashmë kanë pësuar ulje të ndjeshme të të ardhurave nga të drejtat televizive, ndërsa Premier League është detyruar të ofrojë më shumë ndeshje për të shmangur humbjet financiare:

“Të drejtat televizive janë si një tortë, jo si një paella, nuk po krijojnë më shumë të ardhura. Televizionet kanë një buxhet të caktuar, ndaj për këtë arsye po i reduktojnë shpenzimet për ligat kombëtare në favor të Champions-it”.

Në këtë kontekst, Tebas deklaroi se do t’ua përcjellë shqetësimin e tij autoriteteve të reja të sportit në Bashkimin Europian, duke theksuar se është jetike të mbrohen industritë kombëtare në të gjitha sportet.

Ai pranoi gjithashtu se nuk ka asnjë mirëkuptim me Florentino Pérez, pasi secili prej tyre mbron “modele shumë të ndryshme” dhe se “në këtë çështje nuk ka pika të përbashkëta”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat