Vllaznia dhe Elbasani do të zhvillojnë “aktin” e tyre të katërt këtë sezon në futbollin tonë.
Fatet e dy skuadrave janë “kryqëzuar” edhe në Kupë, përveç kampionatit, duke shtuar numrin e ndeshjeve që ekipet do të jenë përballë këtë edicion.
Deri më tani në kampionat shifrat flasin në favor të Vllaznisë. Shkodranët morën një barazim 0-0 në Elbasan në ndeshjen e fazës së parë. Në fazën e dytë triumfuan me përmbysje në shifrat 2-1 ndaj verdhebluve, ku fillimisht për skuadrën e Gvozdenoviç shënonte Qaqi, por do të ishin golat e Dodajt dhe Çobës që do të përmbysnin gjithçka për të siguruar tri pikët e kuqebluve.
Po ashtu në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës, e zhvilluar në Elbasan, nuk pati fitues. Ndeshja përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0, duke i dhënë një avantazh “të lehtë” kuqebluve për ndeshjen e kthimit.
Pra, një traditë pozitive këtë edicion e Vllaznisë në përballjet ndaj Elbasanit, me kuqeblutë, që do të kërkojnë të ripërsëriten ndaj verdhebluve edhe këtë fundjavë në kuadër të raundit të 26-të të kampionatit.