Barça ia vendos çmimin De Jongut

Futboll

Barça ia vendos çmimin De Jongut

Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 16:05
Frenkie de Jong

E ardhmja e Frenkie de Jong në Barcelonë mbetet ende i paqartë dhe Liverpooli është duke e konsideruar një mundësi të transferimit të mesfushorit holandez, me mendjen që mund ta marrë atë me një çmim të reduktuar.

Kontrata e futbollistit holandez do të skadojë në vitin 2026, ndërsa, duke e pasur parasysh rrogën e tij të lartë, klubi katalunas shpreson që të përfitojë nga shitja e tij, plus ta kursejë rrogën e tij.

27 vjeçari ka qenë objektiv i klubeve angleze qe një kohë të gjatë, ndërsa më parë atë e donte Manchester Unitedi.

Futbollisti e ka shprehur gjithmonë dëshirën e tij për të qëndruar në Camp Nou, por që ai asnjëherë nuk ka lënë gjurmë të thella për t’i bindur drejtuesit e klubit që ta konsiderojnë atë të pashitshëm.

Për momentin, sipas portalit “TEAMtalk”, Barcelona nuk duket e gatshme të bëjë zbritje dhe e ka caktuar çmimin e kartonit të futbollistit – 35 milionë euro, përcjell “Gazeta Express”.

Një shifër që Liverpooli e konsideron si adekuate, por për ta bërë të mundshëm këtë transferim duhet të punohet me menaxherët e De Jong, i cili duket se nuk është i gatshëm të pranojë zbritje të rrogës.

Nga ana tjetër, “Reds” nuk e kanë ndërmend “ta thyejnë bankën” në këtë drejtim.

Por, kjo nuk është e tëra.

Thuhet se interesi për mesfushorin kreativ ka shfaqur edhe Juventusi, i cili nuk është bindur sa duhet me paraqitjet e Douglas Luiz dhe për këtë ka kërkuar informata për futbollistin holandez.

Njëjtë si Liverpooli, edhe gjiganti italian do të kërkonte ulje të rrogës së futbollistit.

E ardhmja është në duart e lojtarit të lindur në vitin 1997.

Nëse do të pranojë të bëjë kompromis dhe ta pranojë uljen e rrogës, mund të ketë zhvillime të reja në muajt në vazhdim.

Në të kundërtën, Barcelona duhet të mendojë për një tjetër zhvendosje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat