Presidenti i Federatës Holandeze të Futbollit (KNVB), Frank Paauw zhvilloi këtë të mërkurë një vizitë zyrtare në “Shtëpinë e Futbollit”. I ftuar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, kreu i Federatës Holandeze pati mundësinë të njihej me historinë e futbollit shqiptar dhe arritjet e tij ndër vite.
Presidenti Paauw pa nga afër edhe stadiumin “Arena Kombëtare” ndërsa vizitoi edhe qendrën stërvitore të ekipit kombëtar dhe terrenet stërvitore të “Shtëpisë së Futbollit”.
Në takimin me Presidentin Duka, u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes dy federatave, me fokus në shkëmbimin e eksperiencave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta për të ardhmen. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.
Në një prononcim për fshf.org, Presidenti Paauw u shpreh mjaft i impresionuar për arritjet dhe nivelin e lartë të FSHF-së përgjatë viteve të fundit. Presidenti i Federatës Holandeze vlerësoi ftesën e Presidentit Duka ndërsa nënvizoi se marrëdhënia mes dy institucioneve të futbollit është mjaft e mirë.
“Më duhet të them se jam shumë i impresionuar për arritjet e Federatës Shqiptare të Futbollit përgjatë këtyre viteve të fundit. Si nga përgjegjësia që Federata ndjen ndaj shoqërisë shqiptare dhe punët e mira që kanë bërë, por edhe për rritjen në një nivel më të lartë të futbollit profesionist si edhe futbollit amator.
Pata mundësinë të diskutoj me Presidentin Armand Duka për këtë gjë sepse nëse e shikon historinë nga vjen Federata, zhvillimin e vendit dhe arritjet që janë bërë, është vërtetë e jashtëzakonshme dhe mbresëlënëse. Vizitova stadiumin, vizitova fushat stërvitore të Federatës. Janë në nivele të larta dhe më duhet të them se për një vend relativisht të vogël, kjo është një arritje e madhe.
Marrëdhënia mes dy vendeve? – Fakti që unë vlerësoj shumë që isha i ftuar të vija këtu dhe fakti që ne si dy Federata kërkojmë inovacionin është një pikë kyçe për bashkëpunim. Është krijuar tashmë prej kohësh një marrëdhënie e mirë mes Federatës Mbretërore të Futbollit të Holandës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo vizitë është gjithashtu një shtysë edhe më madhe për marrëdhëniet tona”, – tha Frank Paauw.