Nuk ka si të mos shfaqet i mërzitur pas dështimit në Holandë, Thiago Motta që shikon Juventusin e tij të eliminohet nga Liga e Kampioneve, pasi u mposht nga PSV-ja me rezultatin 3-1.
Pas sfidës, Motta bëri analizën e ndeshjes, ndërsa, sipas tij, Juvja nuk hodhi asnjë gjë poshtë, pasi provoi çdo gjë për të kaluar në fazën tjetër.
“Në disa momente të ndeshjes, mbi të gjitha kur ne shënuam golin e barazimit, ata po shtynin edhe më shumë. Edhe ne kemi krijuar disa raste, ku mund të përmend shtyllën e Vlahoviçit, por ka qenë një ndeshje e hapur deri në sinjalizimin e fundit nga arbitri”.
ELIMINIMI– “Ne nuk kemi hedhur poshtë asnjë gjë. Provuam të kualifikoheshim në fazën tjetër deri në fundin e takimit, por nuk ishim në gjendje për të bërë një ndeshje më shumë se ata. A do të ndryshoja diçka? Jo do të bëja sërish të njëjtat zgjedhje”.
ZËVENDËSIMET– “Ne bëmë tri zëvendësime të detyruara. Fillimisht ishte Renato Veiga, që u dëmtua, më pas Kopmeiners që dje ishte me grip dhe më kërkoi zëvendësimin e më pas Andrea Kambiazo, që nuk e ndiente veten në gjendje për të vazhduar më tej lojën. Zëvendësimet e tjera i bëra për të ndihmuar skuadrën, por këtë herë ishte më e vështirë nga sa e kemi pasur më përpara.
REFLEKTIMET- “Të pësosh një humbje të tillë, gjithmonë është e dhimbshme, por është pjesë e punës që ne bëjmë. Megjithatë, ne duhet të ngrihemi menjëherë dhe të mendojmë për sfidën e radhës”, tha ndër të tjera trajneri i Juventusit, Tiago Mota. Me këtë eleminim, Juventusi bëhet kështu skuadra e tretë italiane që eliminohet nga Liga e Kampioneve në fazën “play off”.
Përpara “Zonjës së Vjetër”, u eleminuan fillimisht Milani përballë Fejnordit e më pas Atalanta që u mposht nga Klub Bryzhi. Më parë në fazën e kampionatit u skualifikua edhe Bolonja. Tashmë skuadra e vetme që ka ngelur në Champions nga italianet, janë kampionët në fuqi të Serisë A, Interi, që në rast kualifikimi të Juventusit, ishin kundërshtarët e tyre potencialë bashkë me Arsenalin e Mikel Artetës. Tashmë sfida e radhës e Juventusit është të dielën në transfertë kundër Kaljarit.