Maradona, Ronaldo, Baggio, Matthaus apo Ibra?

Futboll

Maradona, Ronaldo, Baggio, Matthaus apo Ibra?

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Shkëlqyen në karrierën e tyre duke fituar tituj e trofe të ndryshëm, por yje si Maradona, “Fenomeni” Ronaldo, Roberto Baggio, Lothar Mateus, Zlatan Ibrahimovic dhe disa të tjerë nuk arritën dot të ngrinin “Kupën me veshë të mëdha”, Champions League ose siç quhej më përpara, Kupa e Kampioneve.

Diego Maradona – “El Pelusa” konsiderohet një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave. Argjentinasi, i cili luajti për Barcelonën, Napolin dhe Sevilla në Europë, nuk e fitoi kurrë Ligën e Kampionëve (dikur, Kupën e Europës).

Ronaldo Nazário – “Fenomeni” ka luajtur në ekipe të mëdha si PSV, Barcelona, Inter, Real Madrid dhe Milan. Ylli brazilian, fitues i dy “Topave të Artë”, ishte një nga golashënuesit më të mëdhenj në skenën ndërkombëtare.

Roberto Baggio – Sulmuesi italian, fitues i një “Topi të Artë”, ishte një nga lojtarët më të talentuar në historinë e futbollit. Ai ka luajtur për Fiorentinën, Juventusin, Milanin dhe Interin. Më 1993 humbi finalen e Champions-it ndaj Borussia Dortmundit me Juventusin.

Lothar Matthäus – Mesfushori legjendar gjerman, fitues i Kupës së Botës dhe “Topit të Artë”, do ta mbajë mend gjithmonë natën fatale të “Camp Nou” më 1999, kur Manchester United përmbysi Bayern Munich në finalen e Champions-it.

Zlatan Ibrahimović – Suedezi ka kaluar në klube të mëdha si Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milan, PSG dhe Manchester United. Bashkë me Buffon, është lojtari me më shumë ndeshje në Champions League (124), pa e fituar dot trofeun.

Gianluigi Buffon – Portieri italian, një nga më të mirët në histori, luajti tri finale të Ligës së Kampionëve me Juventusin: 2003 (kundër Milanit), 2015 (kundër Barcelonës) dhe 2017 (kundër Real Madridit). Ai u tërhoq në vitin 2023 nga futbolli në moshën 45-vjeçare.

Francesco Totti – Fantazisti italian, një nga të paktët “one-club man” në futboll, ishte kapiteni dhe simboli i Romës. Ai fitoi një Kupë Bote, një titull të Serie A dhe dy Kupa të Italisë, por kurrë nuk kaloi çerekfinalet e Champions-it.

Sergio Agüero – Sulmuesi argjentinas, i cili ka luajtur për Atletico Madrid, Manchester City dhe Barcelonën, shënoi 39 gola në Champions League gjatë kohës së tij me City.

Ruud van Nistelrooy – Sulmuesi holandez është golashënuesi i shtatë më i mirë në historinë e Champions-it (56 gola), i barazuar me Thomas Müller. Ai është lojtari me më shumë gola, pa e fituar kurrë trofeun.

Thierry Henry – Sulmuesi francez është një nga legjendat më të mëdha të Arsenalit. Në mars 2002, kundër Newcastle, ai shënoi një nga golat më të bukur në historinë e Premier League.

Gabriel Batistuta – Sulmuesi argjentinas, i dyti më i mirë në historinë e kombëtares së tij për nga golat, nuk arriti kurrë ta kalonte fazën e grupeve të Champions-it me Romën apo Fiorentinën.

Romário – Braziliani, i cili bëri emër në Europë me PSV-në dhe Barcelonën e Johan Cruyff, humbi finalen e Champions-it në vitin 1994 kur Milani i Fabio Capellos e mundi Barçën 4-0.

George Weah – Liberiani, i pari dhe i vetmi afrikan që ka fituar “Topin e Artë”, e udhëhoqi PSG-në deri në gjysmëfinalet e Champions-it më 1995 falë 7 golave të tij në kompeticion.

Michael Ballack – Gjermani humbi dy finale të Champions-it. E para ishte më 2002 kundër Real Madridit, ku Zidane shënoi me një “volej” të famshëm. Më 2008, ai humbi sërish me Chelsea kundër Manchester United, me penallti.

Cesc Fàbregas – Mesfushori spanjoll, aktualisht trajner i Como 1907, humbi finalen e Champions-it më 2006 me Arsenalin kundër Barcelonës. Me Spanjën, ai fitoi Kupën e Botës 2010 dhe Kampionatet Europiane të 2008 dhe 2012.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat