Portieri Yann Sommer ka pësuar një frakturë në falangën proximale të gishtit të madh të dorës së djathtë, siç konfirmohet nga një njoftim zyrtar i klubit zikaltër:
“Yann Sommer iu nënshtrua këtë mëngjes ekzaminimeve klinike dhe instrumentale, të cilat konfirmuan një frakturë në kokën e falangës proximale të gishtit të madh të dorës së djathtë.
Në ditët në vijim do të vendoset për llojin e terapisë që do të ndiqet”.
Një goditje e rëndë për Simone Inzaghin, i cili do të duhet të bëjë pa portierin e tij titullar për të paktën 20-30 ditë. Ish-portieri i Bayern Munich pritet të mungojë në disa ndeshje kyçe, përfshirë çerekfinalen e Kupës së Italisë ndaj Lazios, përplasjen për titull kundër Napolit dhe, me shumë gjasa, të dyja përballjet e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve.
Në mungesë të tij, Josep Martinez, i cili ka luajtur vetëm një ndeshje këtë sezon në Kupën e Italisë, pritet të marrë përsipër rolin e portierit titullar.