Jo vetëm Juventusi. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello analizoi gjithashtu dështimet e Milanit dhe Atalantës në Ligën e Kampionëve.
Të tria këto skuadra italiane u eliminuan në “play off”-in e këtij kompeticioni. Vetëm Interi e mban lart “flamurin” e Serie A në Champions për edicionin në vazhdim.
Këto ishin fjalët e tij për eliminimin e kuqezinjve dhe bergamaskëve: “Ibrahimovic kishte të drejtë, Milani bëri vetëvrasje me atë çmenduri të Theo Hernandez, por më lejoni të shtoj se edhe me një lojtar më pak, Conceição mund ta kishte lexuar më mirë ndeshjen. Unë, për shembull, nuk do ta kisha larguar kurrë sulmuesin Gimenez nga loja”.
Për eliminimin e Juventusit nga PSV: “Ajo që u pa qartë është vështirësia e skuadrave tona për të përballuar ritmin e kundërshtarëve. PSV nuk e ktheu thuajse kurrë topin te portieri, nuk u kthye pas, por gjithmonë luante përpara, edhe kur ishte në avantazh".
Më pas, ish-trajneri i njohur dha mendimin e tij për humbjen e Atalantës në shtëpi ndaj modestëve të Club Brugge: “Atalanta shpërdoroi shumë raste dhe nuk pati fat në ndeshjen e parë, me atë penallti të diskutueshme. Megjithatë, në kthim, belgët treguan se janë një skuadër e vërtetë.
Ata pranuan duelet ‘një kundër një’ të stilit Gasperini dhe treguan shpejtësi e teknikë të mirë, duke vënë vazhdimisht në vështirësi mbrojtjen e Atalantës”.
Duke folur në mënyrë më të përgjithshme për kampionatin italian, Capello përfundoi: “Kemi pasur një demonstrim të qartë që Serie A e ka të vështirë të përballojë ritmet e larta të futbollit europian.
Nga ky këndvështrim, kampionati ynë duket se ka bërë një hap prapa, pas përmirësimit që patëm në sezonin 2023-2024”.