Daja para Laçit: Kemi lojtarë që përballen me çdo ekip

Futboll

Daja para Laçit: Kemi lojtarë që përballen me çdo ekip

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 18:09
Ilir Daja

Dinamo do të luajë këtë të premte përballë Laçit në sfidën e vlefshme për javën e 26-të të Superiores. Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, nis në orën 15:00.

Në prag të këtij dueli ka folur dhe trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja. Ky i fundit thekson se ka ardhur momenti që ekipi i tij të kthehet te fitorja. Ndër të tjera, Daja vlerëson maksimalisht Laçin duke thënë se kurbinasit kanë bërë mjaft mirë kohët e fundit.

“Ka ardhur koha që të kthehemi te fitorja. Jam një trajner që dua t’i shoh gjërat me optimizëm. Nuk kemi bërë mirë javët e fundit për shkak të disa elementëve që janë bërë publike tashmë. Por jemi në vend të tretë dhe me rikthimin e lojtarëve të dëmtuar situata është më e mirë. Kjo duket edhe në stërvitje.

Plotësimi i grupit ka ndikimin e vet, sepse secili lojtar jep maksimumin për të pasur pozicionin e vet si startues, apo edhe të jetë afër lojës. Lojtarët e rikthyer nuk janë në 100% të tyre, por jemi më mirë se një javë më parë.

Laçi ka bërë shumë mirë, sidomos në 2025-ën, ka disa fitore dhe një humbje. Ka një manovër të konsoliduar në të dyja fazat e lojës dhe kjo është edhe meritë e stafit teknik të Laçit. Është kundërshtar i vështirë, sepse punojnë të 11 lojtarët në fazën e mbrojtjes dhe të sulmit. Ka edhe pika jo të forta, si çdo skuadër.

Ne kemi një kontigjent të gatshëm që të përballemi me çdo ekip, pavarësisht rezultateve të fundit. Do të jetë e vështirë taktikisht, por do të futemi në fushë me idenë për të shkuar drejt fitores, sepse ky rezultat do të na bënte punë për vazhdimësinë”, është shprehur Ilir Daja..

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat