Andriy Shevchenko: Shqipëria po rritet

Futboll

Andriy Shevchenko: Shqipëria po rritet

Më: 21 shkurt 2025 Në ora: 18:43
Shevchenko e Duka

“Shtëpia e Futbollit” mirëpriti sot në një vizitë zyrtare Presidentin e Federatës Ukrainase, Andriy Shevchenko. I ftuar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, legjenda e futbollit botëror mbërriti rreth orës 11:00 në Tiranë dhe më pas vizitoi ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

I shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Drejtori Administrativ, Aldi Topçiu, dhe Anëtari i KE-së, Envi Hicka, kreu i Federatës Ukrainase pati mundësinë të njihte më nga afër historinë dhe arritjet e futbollit shqiptar ndër vite.

Gjatë vizitës, Andriy Shevchenko inspektoi qendrën stërvitore të ekipit kombëtar, terrenet e “Shtëpisë së Futbollit”, muzeun dhe ambientet e administratës së FSHF-së.

Të dyja palët shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e mëtejshëm të futbollit, ndanë eksperienca dhe diskutuan për projekte të ndryshme dhe investime infrastrukturore.

Në një prononcim për fshf.org, Andriy Shevchenko shprehu kënaqësinë për vizitën në Tiranë dhe falënderoi Presidentin Duka dhe FSHF-në për ftesën dhe mikpritjen. Ai vlerësoi zhvillimin e futbollit në Shqipëri dhe ndikimin e tij në rritjen e vendit.

“Faleminderit, jam shumë i kënaqur që jam këtu, dua të falënderoj Presidentin Armand Duka, një mik, për këtë mundësi të bukur dhe për mikpritjen. Jam shumë i impresionuar nga puna që është bërë.

Vij në Shqipëri prej shumë kohësh dhe shoh vendin që po rritet shumë. I gjithë vendi po rritet, por besoj se zhvillimi më i madh vjen edhe nga futbolli, që po rritet shumë”, – u shpreh fillimisht Shevchenko, i cili më tej vlerësoi infrastrukturën sportive të FSHF-së.

“Kjo qendër sportive e bukur, me zyra, fusha stërvitjeje me strukturat e përshtatura për të pritur skuadrat e nivelit të lartë, duke i dhënë atyre të gjitha mundësitë për t’u përgatitur më mirë për stërvitje.

Kam vizituar shumë qendra sportive dhe jam i impresionuar sepse organizimi dhe ideja e të ndërtuarit të një projekti të rëndësishëm, një projekt që mbi të gjitha është i përshtatur për të gjithë ata që bëjnë pjesë në Federatë, sepse shohim futbollin e vajzave dhe të djemve, strukturat e duhura për të mirëpritur evente, shoh struktura të përshtatshme për evente futbollistike, për fëmijë, për të rritur, e mbi të gjitha për skuadrat kombëtare. Qendra ka gjithashtu një muze shumë të bukur, ishte shumë interesante, mësova sot shumë gjëra që nuk i dija”, – tha Shevchenko.

Në fund të prononcimit, ai i uroi sukses futbollit shqiptar, FSHF-së dhe ekipit Kombëtar në kualifikueset e Kupës së Botës.

“I uroj futbollit tuaj, të gjithëve ju, të vazhdoni këtë rrugë në ngjitje, të kualifikoheni për diçka të rëndësishme.

E di që keni një grup të vështirë, por futbolli luhet i barabartë kur nis ndeshja, ndaj është e rëndësishme të keni besim”, – përfundoi Shevchenko.

Më pas, Shevchenko u prit nga Presidenti Duka, dhe së bashku po ndjekin në stadiumin “Niko Dovana” ndeshjen e UEFA Nations League për vajza mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat