Mareska: Kam mbështetjen e klubit

Futboll

Mareska: Kam mbështetjen e klubit

Më: 22 shkurt 2025 Në ora: 13:42
Mareska

Djemtë e Enco Maresës kanë humbur dy ndeshje radhazi, të dyja ndaj Brajtonit, njëra prej të cilave i eliminoi nga Kupa FA. Çelsi ka zbritur në vendin e gjashtë në kampionat dhe ata do të kërkojnë të fitojnë pikë të vlefshme kur të luajnë sot në tranfertë kundër Aston Vilës.

Në konferencën e djeshme për shtyp, italiani tha se Çelsi është i rënë moralisht në këtë moment të sezonit. “Duhet të jemi të mërzitur sepse nuk jemi të kënaqur me rezultatet. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se jemi në një klub që nuk jemi këtu për të mbijetuar, por për të luftuar për të fituar tituj.

Ata janë të njëjtët lojtarë që për 19-20 ndeshje ishin mes katër të parëve dhe të dytët në pjesën më të madhe të sezonit. Por pas këtij momenti, ata do të jenë lojtarë më të mirë dhe profesionistë më të mirë”, tha trajneri.

“Ne e kaluam sezonin pothuajse në katër vendet e para dhe me 13 ndeshje deri në fund, objektivi, me siguri, është top katërshja. Ne do të bëjmë më të mirën për ta arritur këtë. E dimë momentin e vështirë që po kalojmë tani.

Pesë apo gjashtë lojtarë të rëndësishëm janë jashtë. Unë jam këtu për të fituar ndeshje dhe për ta sjellë këtë klub në pozicionin që të luftojë për tituj.

Problemi është kur fiton ndeshje, dukesh i përulur dhe kur nuk fiton ndeshje, dukesh sikur të mungon ambicia. Synimi im është ta sjell këtë klub aty ku duhet të jetë.

Është bukur të mbështetesh nga pronarët. Unë e vlerësoj shumë marrëdhënien me klubin. Ata më mbështesin gjithmonë. Drejtorët sportivë, pronarët, të gjithë klubi”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat