Guardiola: Liverpuli e meriton kreun

Futboll

Guardiola: Liverpuli e meriton kreun

Më: 23 shkurt 2025 Në ora: 11:12
Guardiola

Sulmuesi i Mançester Sitit, Erling Haland mbetet një dyshim për përballjen e kampionëve të Premier Ligës me Liverpulin në “Etihad”, pasi sulmuesi rikuperohet nga një dëmtim në gju, njoftoi trajneri Pep Guardiola në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes të premten.

Haland e lëndoi gjurin e tij të djathtë në minutat e fundit në fitoren 4-0 të Sitit ndaj Njukasëllit të shtunën e kaluar dhe nuk luajti në humbjen 3-1 të klubit ndaj Realit të Madrid të mërkurën, me “Qytetarët” që u eliminuan nga Liga e Kampioneve. I pyetur për disponueshmërinë e mundshme të Halandit për t’u përballur me kryesuesit e Premier Ligës,

Guardiola tha se nuk ishte i sigurt dhe se norvegjezi do t’i nënshtrohet një testi. “Ndoshta, por nuk e di ende”, tha Guardiola.

Haland ka shënuar 27 gola në të gjitha kompeticionet këtë sezon, por nënshkrimi i ri Omar Marmush shënoi një trigolësh kundër Njukasëllit javën e kaluar, duke sugjeruar se tani Siti ka opsione të tjera të mira sulmuese.

Guardiola shtoi: “Është më mirë të kesh Erling në fushë sesa të mos e kesh atë natyrisht dhe me Erling jemi në pozicionin që jemi tani. Të gjithë janë përgjegjës për të mirat dhe të këqijat në ekip, por sigurisht me Erling jemi më të fortë”.

Ndërkohë, qendërmbrojtësi Xhon Stons mund të jetë jashtë për një periudhë të gjatë pasi pësoi një dëmtim në kofshë në minutat e para në “Bernabeu” të mërkurën. Është pengesa e fundit në atë që ka qenë një sezon zhgënjyes për anglezin, i cili ka bërë vetëm 20 paraqitje.

“Ai është i lënduar, është një situatë e vështirë dhe në orët apo ditët në vijim do të dimë nëse ai ka nevojë për operacion apo jo”. Stons i bashkohet mbrojtësit tjetër Manuel Akanzhi dhe mesfushorit Rodri në listën afatgjatë të të dëmtuarve. Në lidhje me skuadrën e Liverpulit, që këtë vit po dominon në Angli, katalanasi tha: “

Vazhdimësia me Slot është e ngjashme me atë të Klopit. Ata meritojnë të jenë atje në krye dhe luftojnë me Arsenalin për titull. Janë një ekip klasi në shumë aspekte. Kanë humbur vetëm 1 ndeshje. Prandaj është një test i mirë për ne”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat