Yjet e futbollit anglez të cilët banojnë në një krahinë të caktuar, kanë punësuar të gjithë firma sigurie të njohura për t’u mbrojtur nga një bandë hajdutësh e cila po bën namin në zonë duke përdorur transportues makinash.
Sipas “Inside Sports”, është sinjalizuar një “çështje serioze sigurie” pas një incidenti që ka ndodhur së fundmi në Çishajër, zonë ku banojnë shumë futbollistë të klubeve të Mançesterit dhe Liverpulit. Ish-ushtarakë dhe grupe të kontrollit me qen të stërvitur kanë patrulluar zonën në ditët e fundit, me shpenzime relativisht të larta për futbollistët që i kanë punësuar.
Në sinjalizimin që u është bërë personave që punojnë me këta futbollistë në rajonin në fjalë, është theksuar se bëhet fjalë për një bandë profesioniste hajdutësh që po përdor transportues makinash për të vjedhur një numër të madh automjetesh sa herë që piketojnë një shtëpi.
Përdorimi i ish-ushtarakëve për të mbrojtur banesat e tyre është bërë e zakonshme nga futbollistët e Premier Ligës, sidomos kur shkojnë në grumbullime me përfaqësuesen dhe janë larg familjes.