Futbolli kthehet në sport ekstrem në Turqi

Futboll

Futbolli kthehet në sport ekstrem në Turqi

Më: 23 shkurt 2025 Në ora: 19:48
Fusha me borë

Jurgen Bardhi ka përjetuar sot një situatë shumë të pazakontë në kategorinë e dytë turke, ku aktivizohet me ekipin e Umraniespor.

Ndeshja e kësaj skuadre me Sakariaspor, është ndërprerë në pjesën e dytë pasi një furtunë e pazakontë dëbore mbuloi terrenin duke e bërë të pamundur vijimin normal të sfidës.

Sfida nisi me reshje shumë të lehta, por me kalimin e minutave intensiteti i borës u rrit dhe fusha u mbulua plotësisht me një shtresë të trashë dëbore që bënte të flitej pak për futboll.

Edhe vetë lojtarët në çdo moment që ndaleshin mbuloheshin nga bora dhe shumë prej tyre ngjyrosën mollëzat e faqeve me të zezë për të shmangur reflektimin e dritës nga projektorët.

Por në pjesën e dytë situata u bë ekstreme pasi nuk bënin punë më as njerëzit që hynin vazhdimisht për të vijëzuar terrenin duke bërë vija në dëborë. Kësisoj, gjyqtari ndali takimin për rreth 20 minuta, duke bërë të mundur që një borëpastrues të futej në stadium dhe të largonte sasi të mëdha bore nga fusha, për të çuar ndeshjen deri në fundin e saj, sigurisht pa gola.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat