Kurtaj shpallet “Ylli i javës” në Superligë

Futboll

Kurtaj shpallet “Ylli i javës” në Superligë

Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 09:57
Albion Kurtaj

Federata e Futbollit të Kosovës ka ndarë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 21-të në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Ferizaj, Albion Kurtaj.

Kurtaj arriti që me golin e tij t’i sigurojë fitore shumë të rëndësishme ekipit të tij, FC Ferizaj, kundër FC Prishtinës (1:0) dhe të arkëtojë 3 pikë që e larguan nga zona e rrezikshmërisë në Albi Mall Superligë.

Pasi mori këtë çmim, Kurtaj u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës: “Ndeshja me Prishtinën ka qenë një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë, duke marrë parasysh që Prishtina është njëra nga skuadrat më të mëdha në Kosovë. Por, sidoqoftë, stafi i skuadrës sonë ka marrë të gjitha masat e nevojshme, duke e përgatitur ndeshjen në mënyrën më të mirë, dhe nga ajo nxorrëm 3 pikë për të cilat jam shumë i lumtur.

Skuadra ka filluar të pjeket dhe gabimet që i kemi bërë në sezonin e kaluar, i kemi përmirësuar. Puna e trajnerëve është e jashtëzakonshme dhe kemi edhe një president që na rri shumë afër dhe nuk e ka humbur asnjëherë besimin tek ne.

Synimet tona janë gjithmonë të kërkojmë pjesën e epërme të tabelës dhe me këtë skuadër që kemi, besoj se mund ta arrijmë.

Të shpallesh “Ylli i javës” është një arritje shumë e madhe dhe e falënderoj gjithë stafin dhe skuadrën. Veçanërisht falënderoj familjen time që më kanë përkrahur deri këtu.

Shpresoj që t’i ndihmoj skuadrës në vazhdimësi që të marrim të gjitha pikët që na nevojiten për të qenë në pjesën e sipërme të tabelës.” – tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat