Aurela Imeraj është njëra prej futbollisteve kosovare më premtuese të momentit.
Futbollistja nga Suhareka, por e lindur dhe e rritur në Norvegji, e dëgjoi zemrën dhe vendosi ta përfaqësojë Kosovën në futbollin e vajzave.
Aurela aktualisht është pjesë e Kombëtares U-19 të Kosovës, ndërsa paraprakisht kishte luajtur për ekipin U-17, ku vinte nga U-15/16 e Norvegjisë.
Për vajzën kosovare karriera po shkon gjithnjë duke u ngritur.
Futbollistja e lindur në vitin 2007 e kishte nisur karrierën në njërin prej klubeve më të njohur të futbollit të vajzave në Norvegji, Lillestrøm Kvinner.
Por, së fundmi 17 vjeçarja ka arsye për të festuar pasi u bë me klub të ri.
Në fakt, ajo është transferuar te Vålerenga Fotball Damer, një klub me ambicie të mëdha në futbollin e vajzave, i cili aktualisht është ndër më të mirët në Skandinavi dhe pjesëmarrës në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Për ta mundësuar këtë transferim të saj u përkujdes trajneri kosovar që jeton dhe vepron në Norvegji, Petrit Hasanaj, i cili njihet për kontributin e madh që e ka dhënë në sportin norvegjez, ndërsa ka bashkëpunim të ngushtë edhe me talentet shqiptare në Norvegji dhe në Skandinavi në përgjithësi.
Hasanaj njëherësh është edhe skaut për vajzat në Federatën Shqiptare të Futbollit, por e ndihmon edhe Federatën e Futbollit të Kosovës, si në rastin e Aurela Imerajt.
Trajneri kosovar beson se kjo e fundit mund ta ketë një karrierë të suksesshme të cilën duhet ta menaxhojë mirë dhe të veprojë hap pas hapi, duke u nisur nga hapi i duhur që e bëri për t’u transferuar në Vålerenga, klub të cilin ai e sheh si ideal për zhvillimin e saj.
Gjithnjë sipas Petrit Hasanajt, Aurela kishte plot oferta nga klubet tjera norvegjeze, por edhe jashtë këtij vendi, por që u përcaktua për Vålerengan pasi ky klub insistoi më së shumti dhe e kishte projektin dhe planin e qartë për ta ndihmuar futbollisten kosovare që të zhvillohet dhe të bëhet gati për hapin e radhës në karrierë në të ardhmen.