Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, ka kërkuar nga skuadra që të përqendrohet maksimalisht në çdo ndeshje, ndërsa përballet me një kalendar të ngjeshur që nis me përballjen e së martës me Barcelona, në gjysmëfinalen e parë të "Copa del Rey".
Pastaj Atletico pritet të ndeshet me Real Madrid në Champions League, ndërsa më vonë prapë me Barcelona në LaLiga.
"Çelësi është të përqendrohemi në çdo ndeshje veçmas", ka thënë Simeone në konferencën për shtyp të hënën. "Jemi të motivuar dhe duam të konkurrojmë në maksimum. E dimë që kjo përballje ndahet në dy akte, një në fushën e tyre dhe një në tonën, ndaj do të përpiqemi ta drejtojmë ndeshjen aty ku mund t’i dëmtojmë".
Atletico dhe Barcelona janë ndeshur për herë të fundit në dhjetor, kur madrilenët kishin përmbysur katalanasit, duke fituar me rezultat 2-1.
Simeone pret një tjetër sfidë të vështirë dhe e sheh si një duel ku duhet të vuajnë për të marrë një rezultat pozitiv.
"Kur luan ndaj ekipeve të mëdha, duhet të jesh gati të vuash", ka theksuar argjentinasi. "Do të ketë momente të mira për të dyja skuadrat dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë tonat. Kemi një ide të qartë për lojën dhe do ta përgatisim me lojtarët tanë. Barcelona ka një sulm të jashtëzakonshëm dhe ne do të përpiqemi ta godasim aty ku mundemi".