Mund të duket si e pavërtetë dhe shumë e vështirë për t’u besuar, por Berat Gjimshiti është dëmtuar pesë herë deri tani në këtë sezon që ende nuk ka përfunduar.Dëmtimi i fundit i kapitenit të Kombëtares është në kyçin e këmbës gjatë ndeshjes që Atalanta fitoi me Empolin, dëmtim që mund ta lërë jashtë për dy ndeshjet e radhës të cilat janë me Juventusin dhe Interin.
Fatmirësisht dëmtimet e pësuara nuk ishin të rënda dhe mungesat e Gjimshitit në fushë kanë qenë me pikatore. Kjo histori aq reale, por edhe e çuditshme njëkohësisht, ka një rastësi brenda.
E gjitha nisi në muajin shtator, kur Berati humbi dy ndeshjet e para të Kombëtares në Ligën e Kombeve për shkak të një kontraktimi të lehtë muskular, por pas një jave, ai zbriti në fushë kundër Fiorentinës. Në fillimin e muajit tetor, në ndeshjen që Atalanta luajti kundër Xhenoas përpara ndalimit të kombëtareve, Gjimshiti sërish shfaqi probleme muskulare dhe nuk ishte i pranishëm me kuqezinjtë në dy takimet me Çekinë dhe Gjeorgjinë në transfertë. Ai u rikthye dhe luajti 90 minuta me Atalantën pas ndeshjeve të Kombëtares.
Nëse mungesa e tij ndihej në mbrojtje, sidomos pas atij takimi me shtatlartët çekë, në nëntor Shqipëria priti Ukrainën dhe Çekinë në Tiranë, por këtë herë ishte një ndrydhje në kavilje ajo që e pengoi Gjimshitin që ishte prezent, duke kompletuar një tripletë mungesash gjatë ndeshjeve të Kombëtares.
Në duelin e parë të vitit 2025 kundër Udinezes, Gjimshiti u përplas me kundërshtarin dhe i duhej që të qepej me 10 penj sipër vetullës. Edhe pse me një traumë në kokë, 32-vjeçari nuk u dorëzua dhe 4 ditë më vonë zbriti i fashuar në sfidën kundër Juventusit.
Përpos eliminimit jo të pritshëm nga Liga e Kampioneve, Gjimshiti ka qenë protagonist në kampionat, ku në tri ndeshjet e fundit ka shënuar dhe ka asistuar 2 herë, shifra interesante për një qendërmbrojtës. Megjithëse, një shqetësim në kavilje është rishfaqur prapë dhe mbrojtësi nuk ka rrezikuar duke lënë fushën e lojës.
Siç raportojnë mediat pranë bergamasëve, bëhet fjalë për 2 javë pushim, por mbetet për tu parë nëse Gjimshiti do të jetë gati për sfidën kundër Anglisë, apo do të ketë fatin kundër edhe në 21 dhe 24 mars.