Tomas Brdariç e ka “hartuar” formacionin që do të zbresë sot në fushë në orën 17:00 kundër Elbasanit.Vllaznia pret verdheblutë në Shkodër në kuadër të ndeshjeve të kthimit për çerekfinalet e Kupës. Dueli i parë mes dy skuadrave ka përfunduar në shifrat 0-0, duke lënë në këtë mënyrë gjithçka të hapur për kualifikimin.
Për këtë arsye, tekniku gjerman i kuqebluve duket se nuk nënvlerëson aspak një duel të tillë.
Kështu, për nëntë herë kampionët e vendit, në fushë pritet të prezantohet formacioni më i mirë i mundshëm.
Nga porta do ta nisë Jukaj, me Qarrin, që vijon të jetë mungesë. Në mbrojtje do të rikthehen titullarë, si: Bajrami dhe Jago, ku së bashku me Gurishtën dhe Stojanoviçin pritet të kompletojnë repartin e prapavijës.
Mesfusha e kuqebluve pritet të ketë shumë muskuj dhe kilometra në këtë duel, me treshen Krymi-Sala-Deliu, që pritet të formojnë këtë repart. E ndërsa në sulm pritet rikthimi i Malës në të djathtë, me prizrenasin, që është aktivizuar si mesfushor në duelet e fundit në kampionat.
Për të kompletuar formacionin kuqeblu, do të jenë edhe Dodaj në të majtë dhe Balaj në majë të repartit të avancuar.