Tension te Juventusi

Futboll

Tension te Juventusi

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 13:37
Juventusi

Juve e lë pas eliminimin nga faza “play-off” i Ligës së Kampioneve dhe arrin fitoren e katërt radhazi në kampionat duke mposhtur 1-0 Kaljarin. Tani “Zonja” po përgatitet në mënyrën më të mirë të mundshme për ndeshjen e së mërkurës kundër Empolit në çerekfinalet e Kupës së Italisë.

Pavarësisht suksesit në Sardenjë të vulosur nga Vlahoviç, në bilbilin e fundit të Kolombos kamerat u fokusuan te Ueah dhe Gati, të përfshirë në një debat të nxehtë. Një situatë aspak e këndshme që rikthehen edhe njëherë “ujërat e trazuar” që bardhezinjtë i kanë shoqëruar jo në pak raste gjatë këtij sezoni.

Debati i ashpër shpërtheu në sekondën e fundit të ndeshjes. Dhjetë sekonda para fishkëllimës së fundit, menjëherë pas faullit të Violës ndaj Mekenit, filloi debati mes Gatit dhe Ueah.

Italiani nis të bëjë gjeste ndaj amerikanit, gati si për ta qortuar për një lëvizje të gabuar. Menjëherë pas kësaj, të dy janë përfshirë në një shkëmbim të ashpër fjalësh dhe fillimisht Vlahoviç e më pas Kolo Muani kanë ndërhyrë për të qetësuar gjërat, dhe të rivendosin qetësinë.

Por diskutimi nuk mbaron me kaq, përkundrazi. Ndërsa skuadra u drejtua drejt tribunës për të festuar me tifozët e tyre, Gati dhe Ueah vazhduan të debatonin ashpër. Duket se mbrojtësi italian, i cili dukej shumë i zemëruar, po i shpjegonte diçka shokut të tij. Nga ana e tij, amerikani u përpoq të përgjigjej me “gjallëri”, duke argumentuar arsyet e tij.

Skena nuk u ka shpëtuar kamerave, por për momentin nuk dihen arsyet e vërteta të debatit. Megjithatë ky nuk është rasti i vetëm te Juvja pasi më parë edhe Vlahoviç ka pasur konflikte, kryesisht me tifozët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat