Mediume të ndryshme nga Italia po raportojnë se Antonio Conte po planifikon një ndryshim taktik për ndeshjen e Napolit me Interin në fundjavë, pasi skuadra e tij u mposht nga Como të dielën.
Napoli do të jetë nikoqir i Interit në “Diego Armando Maradona”, në një përballje që mund të quhet edhe si vendimtare për titullin e Serie A të këtij sezoni.
Të besuarit e Antonio Contes e humbën vendin e parë në tabelë pasi lëshuan tri pikë në përballjen me Comon, derisa Interi me fitoren e arritur të shtunën ndaj Genoas tashmë është një pikë para në krye të tabelës.
Pas largimit të Khvicha Kvaratskhelias në afatin kalimtar të janarit drejt PSG-së, Conte ka llogaritur në David Neresin për pozitën e sulmuesit të majtë, por me lëndimin e tij, trajneri italian e zhvendosi formacionin nga 4-3-3 në 3-5-2.
Treshja e mesfushës për pjesën më të madhe të ndeshjeve ka qenë e njëjta.
Romelu Lukaku dhe Giacomo Raspadori kanë udhëhequr sulmin, derisa Giovanni Di Lorenzo, Matteo Politano, Leonardo Spinazzola dhe Pasquale Mazzocchi janë provuar në krahët e mbrojtjes/mesfushës.
Me vetëm një pikë të marrë në dy ndeshjet e fundit të Serie A, Antonio Conte po e konsideron të rikthehet te 4-3-3 për ndeshjen e rëndësishme ndaj Interit.
Sipas “Sky Sport Italia”, Spinazzola pritet të luajë në pozitën e sulmuesit të majtë, derisa Mathias Olivera do të luajë në krahun e majtë të mbrojtjes.