Mesfushori i Juventusit, Douglas Luiz tashmë ka humbur 15 ndeshje të këtij edicioni, duke mos arritur që të fitojë një vend të rregullt në formacionin e “Zonjës së Vjetër”.
Braziliani iu bashkua Juventusit verën e kaluar për shumën e 50 milionë eurove nga Aston Villa, por shkaku i lëndimeve ai është dashur të mbetet jashtë shumë ndeshjeve të “Bianconerëve”.
26-vjeçari kishte një fillim të vështirë në Turin, duke qenë vetëm dy herë startues në tetë ndeshjet e para të Juventusit në Serie A këtë edicion.
Problemet më lëndimet nisën në tetor të vitit të kaluar, ku mbeti jashtë 10 ndeshjeve të “Zonjës së Vjetër”, duke përfshirë këtu edhe ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj ish-klubit të tij, Aston Villas në nëntor.
Ai u kthye dhe luajti ndaj Venezias më 14 dhjetor, por u detyrua të pushojë në ndeshjen e ardhshme ndaj Monzas.
Një lëndim i ri në muskuj bëri që ai të mungojë edhe ndaj Interit e PSV-së.
Luiz u kthye përsëri në ndeshjen ndaj Cagliarit, por u desh të zëvendësohej pas 20 minutave që hyri në lojë, shkaku i një lëndimi të ri.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, me informacione nga kampi juventin, braziliani nuk do të kthehet për Juventusin deri në përfundim të pushimit të kombëtareve në mars.
Sipas “Transfermarkt”, Luiz nuk kishte munguar në asnjë ndeshje shkaku i lëndimit për Aston Villan në sezonin 2023/24.