Sociedad - Real Madrid, vendasit nuk njohin humbje në 13 ndeshje

Futboll

Sociedad - Real Madrid, vendasit nuk njohin humbje në 13 ndeshje

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 11:32
Mbappe

Reali i Madridit do të vërë në provë sonte në mbrëmje formën e shkëlqyer që ka treguar Sociedadi në shtëpi.

Baskët kanë grumbulluar pesë fitore radhazi dhe numërojnë vetëm një humbje në 13 ndeshjet e fundit që ka luajtur, me 11 fitore dhe një barazim duke plotësuar një rekord shtëpiak. Skuadra e bardhë është pikërisht një nga të paktat që ka dalë fitimtare nga “Reale Arena” këtë sezon, pasi fitoi 0-2 në La Liga më 14 shtator.

Sociedadi mundi me lehtësi Leganesin të dielën, ashtu siç kishte bërë vetëm disa ditë më parë kundër Midjylland (Danimarkë), në Europë apo me fitoren 2-1 kundër Espanjolit. Këtyre tri fitoreve u shtohen dhe dy të tjera kundër Osasunës dhe Paok të Selanikut. Këto pesë ndeshje janë numri i fitoreve të njëpasnjëshme në shtëpi për baskët, teksa humbja e vetme në 13 takimet e fundit në shtëpi është ajo kundër Getafes 0-3.

Para se Getafe e Bordalas të fitonte në “Anoeta”, bardheblutë kishin regjistruar 7 ndeshje radhazi pa humbje në shtëpi. Gjithsesi, testi i sotëm kundër Realit të Madridit ka një tjetër shije për Sociedadin.

Dhe kjo jo vetëm për faktin se Reali është nga të paktat skuadra që e ka mundur në këtë sezon në shtëpi. Por dhe për faktin se “Los Blancos” gëzojnë një formë mjaft të mirë dhe padyshim kjo premton për një sfidë emocionuese në San Sebastian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat