Kazuyoshi Miura, gati për edicionin e 40-të si futbollist profesionist

Futboll

Kazuyoshi Miura, gati për edicionin e 40-të si futbollist profesionist

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 12:38
Kazuyoshi Miura

Sulmuesi japonez, Kazuyoshi Miura, ka mbushur 58 vjet të mërkurën.

Ka shumë më tepër se ditlindja për të festuar nga futbollisti i njohur si “King Kazu”. Ai pritet ta fillojë edicionin e 40-të si futbollist profesionist dhe është bindshëm futbollisti më i vjetër në ligën e futbollit të Japonisë.

Miura luan për ekipin e divizionit të katërt japonez, Suzuka, ndërsa është i huazuar nga ekipi i divizionit të dytë, Yokohama. Suzuka fillon stërvitjet këtë javë, ndërsa edicioni fillon muajin e ardhshëm.

“Pensionimi nuk është opsion. Dua të luaj sa më shumë minuta që të jetë e mundur”, ka thënë Miura.

Ai ka luajtur futboll profesionist në Brazil, Itali, Kroaci, Australi dhe Portugali. Debutoi në vitin 1986 me Santosin në Brazil, klubi që u bë i njohur në gjithë botën falë Peles.

Në vitin 2017, në moshën 50-vjeçare, ai u bë lojtari më i vjetër që shënoi gol në një ndeshje profesionale. E kaloi rekordin që e mbante futbollisti shumë i dekoruar anglez, Stanley Matthews.

Miura është një prej emrave të parë të mëdhenj të futbollit të Japonisë. AI i shënoi 55 gola në 89 ndeshje dhe ishte yll i përfaqësueses së Japonisë në vitet 1990-ta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat