Trajneri i Realit të Madridit, Carlo Ancelotti, ka folur në konferencën për shtyp para takimit të vajtjes në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit kundër Sociedadit.
Italiani ka qenë në humor, duke prekur mjaft tema. Por, mes humorit, ai ka gjetur dhe momentin për të kritikuar presidentin e Ligës spanjolle, Havier Tebas, i cili ka qenë shumë kritik ndaj Realit në deklaratat e fundit për mediat.
DEKLARATAT E TEBAS – “Ai (Tebas) flet shumë për Realin e Madridit dhe nuk respekton miliona tifozë të këtij klubi. Ka çështje më të rëndësishme në futbollin spanjoll dhe presidenti i La Ligës duhet të fokusohet në zgjidhjen e tyre”.
TEBAS DHE “TIFOZ I MADRIDIT ME TURP” – “Nuk e di se çfarë turpi ka! Mendoj se të gjithë janë krenarë që janë tifozë të këtij klubi”.
NDESHJA KUNDËR SOCIEDADIT – “Ka qenë gjithmonë e vështirë të luash kundër tyre. Ata janë në formë të mirë. Është një gjysmëfinale dhe është e rëndësishme për ne dhe për ta. Do të jetë një ndeshje shumë konkurruese, e barabartë dhe argëtuese. Ata luajnë shumë mirë, kurse ne duam të vazhdojmë me momentin tonë pozitiv”.
KRITIKA PËR STOLIN – “Asnjë mesazh, shoh që ka kritika, por mendoj se është problem i veteranëve. Të gjithëve u pëlqen rinia dhe veteranët janë pak si gjyshërit, lodhesh duke i parë çdo ditë. Njerëzit janë lodhur duke parë fytyrën time çdo ditë, e kuptoj këtë, por duhet të kesh parasysh që unë e konsideroj veten fëmijë dhe se vetëm mosha më dënon për të studiuar”.
NJË SKUADËR PA EGO TË TEPËRT – “Ne kemi një atmosferë të mirë në këtë kuptim. Mbërritja e Mbapesë, i cili ka ardhur me një qëndrim të mirë dhe një profil të qetë, ka përmirësuar atmosferën. Ka ardhur një nga lojtarët më të mirë në botë dhe, në nivelin e egos, asgjë nuk ka ndryshuar. Kemi humbur pjesë të rëndësishme përsa i përket personalitetit që duhet të kompensohen nga lojtarët e tjerë. Pak nga pak, të rinjtë duhet të marrin një rol më të spikatur”.
RINOVIMI I MODRIÇ – “Unë nuk do të përfshihem në këtë çështje. Është një çështje mes klubit dhe lojtarëve. Ishte me Naçon, me Kros, me vetë Modriç. Legjenda ka të drejtë të bëjë atë që dëshiron. Kjo është ideja e klubit. Ata do të marrin vendimin më të mirë për të gjithë”.
GJENDJA E ALABA – “Ai luajti 70 minuta, gjuri i tij është mirë dhe nuk ka pasur asnjë problem rikuperimi. Natyrisht ne duhet të marrim parasysh problemet e mundshme të muskujve, sepse ai është rikthyer pas 14 muajsh”.