Tonali: Shkuarja tek Interi nuk ka qenë kurrë opsion për mua

Futboll

Tonali: Shkuarja tek Interi nuk ka qenë kurrë opsion për mua

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 13:15
Sandro Tonali

“Më ka ndodhur të mendoj për momentin kur mund të kisha shkuar tek Interi, por asnjëherë nuk e kam pranuar”.

Këto janë fjalë të forta nga Sandro Tonali, mesfushori i Newcastle dhe ish-lojtari i Milanit, i cili në një intervistë për “La Repubblica” shpjegoi refuzimin ndaj zikaltërve:

“Nuk ndodhi sepse ata nuk janë një ekip i fortë, por nuk e shihja veten të lumtur 100%. Çdo ditë flitej për këtë. Flisja me agjentin tim dhe dyshimet ishin të mëdha. Ishte mali që nuk doja ta kaloja”.

Pastaj erdhi kthesa: “Telefonata e Paolo Maldinit ndryshoi gjithçka, më bëri të lumtur dhe i thashë agjentit tim: O shkoj te Milani, ose qëndroj te Brescia. Këtë lidhje me Milanin ma ka transmetuar babai im. Përdorja çdo mëngjes gotën kuqezi të Gattusos dhe kur ajo u thye, i kërkova mamasë time ta riparonte copë pas cope. Kur transferimi te Milani u bë realitet, e pyeta Rinon nëse mund ta veshja numrin 8 të tij”.

Tonali e përmbylli me dramën e tij, përfshirjen në baste dhe pastaj pezullimi 1-vjeçar: “Një person që ka probleme me lojërat e fatit nuk flet dot për to, por nëse e çliron veten, mund të dalësh nga ky makth. Të flasësh për to me të tjerë është gjëja më e vështirë. Kurrë nuk do të dukesh si një dështak, por ndihma e vërtetë është të hapesh. Tani jam një person që mund të flas me të gjithë, me ata që kanë dhe nuk kanë nevojë për ndihmë. Jam bërë një person më i disponueshëm dhe më gjeneroz.

“Nuk është e tepërt të flas për një jetë të parë dhe një të dytë. Stili im ishte negativ. Isha i mbyllur me të gjithë dhe kjo më bënte të ndryshoja sjelljen. E bëja këtë edhe me njerëzit që më donin dhe të cilët i doja. Isha kështu si në fushën e stërvitjes, ashtu edhe në shtëpi, me miqtë dhe familjen. Sot, për fat, kam ndryshuar”.

Tonali vazhdoi: “Nuk e kujtoj bastin e parë, por m’u bë zakon në moshën 17 apo 18 vjeçare. M’u bë normalitet kur filloi të më merrte kaq shumë kohë. Fakti që ishte ‘online’ më errësonte nga gjithçka, më mbyllte në kokën time. Mendoj se nuk kam pasur kurrë vetëdijen që po bëhej një varësi. Kur një person është në një situatë të tillë, është e vështirë të pyetet nëse është i sëmurë, sepse do të të thotë gjithmonë jo. Edhe nëse e ndjen që nuk është kështu. Nuk mund të mendojë se ka një problem të tillë, ndaj tenton ta fshehë”.

Tonali tregon gjithashtu për rehabilitimin: “Në muajt që isha larg fushës, kam kaluar shumë kohë me psikologun. Puna e tij ishte të më bënte të kuptoja si arrita deri aty. Zakonisht e kupton në momentin kur humb diçka: familjen, punën, pagën. Ndërsa në rastin tim, disponueshmëria ekonomike nuk më bëri të kuptoja seriozitetin e situatës. Ishte një punë e vështirë për rikuperim.

Nuk mund të merrja medikamente specifike, sepse me 95% të tyre do të rezultoja pozitiv në testin anti-doping, kështu që ishte një proces krejtësisht mental. Kjo zgjati muaj, shoqëruar me psikolog dhe psikiatër. Gjatë vitit të fundit nuk kam pasur telefon për 6 muaj, kam provuar një ndjenjë lirie. Kurrë nuk rashë në depresion, punova menjëherë me veten”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat