Mbrëmja e djeshme ishte e hidhur për Milanin. Kuqezinjtë u mposhtën me përmbysje në transfertë kundër Bolognas me rezultatin 2-1. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i Milanit, Sergio Conceicao, i cili thotë se probleme kishte edhe me gjykimin.
Ndër të tjera, tekniku portugez thotë se nëse klubi i Milan nuk e sheh si personin e duhur për stolin, atëherë ai do të largohet, megjithatë derisa ai moment të vijë, Conceicao premton punë të palodhshme.
Analiza dhe gjendja juaj shpirtërore?
Mendoj se ishte një ndeshje shumë konkurruese kundër Bolognas, një skuadër që ishte në Champions League. Ne luajtëm një pjesë të parë të mirë dhe arritëm te golin. Pastaj ka incidente, ndonjëherë faji ynë, ndonjëherë për shkak të një gabimi që nëse gjyqtari nuk e sheh atë, VAR-i duhet ta shohë atë. Po i referohem topit që doli në vijën anësore, e pashë atë, por nuk ankohem.
Si është ekipi?
Sot pashë një dhomë zhveshje të trishtuar dhe të frustruar, qëndrimi im është i njëjti. Së bashku me stafin po japim gjithçka. Jam shumë i qetë për atë që bëj, e di se çfarë bëj dhe nuk kam ardhur nga hiçi. Për këtë arsye, stafi im dhe unë kemi nevojë për pak respekt. Po i referohem kritikave që shkojnë përtej fushës dhe kjo nuk më pëlqen.
Ke kaluar shumë në karrierën tënde, por a është ky momenti më i vështirë?
Ndihem shumë i frustruar sepse rezultatet nuk po vijnë. Megjithatë, mendoj se është normale për një trajner që punon me pasion. Më duket se ka një re mbi Milano nga e cila duhet të dalim. Na duhen rezultatet, sepse ato janë ato që bëjnë diferencën.
Gjithçka varet nga ne. Nëse dhe kur klubi mendon se nuk jam më personi i duhur për Milanin, do të tërhiqem me të njëjtin pasion. Por do të vazhdoj të punoj deri në atë moment.