Nainggolan: Ja pse gaboi Roma

Futboll

Nainggolan: Ja pse gaboi Roma

Më: 28 shkurt 2025 Në ora: 12:30
Radja Nainggolan

Radja Nainggolan është rikthyer të luajë në “Kings League”. Mesfushori belg, ish-lojtari i Romës, foli për ish-skuadrën e tij në një intervistë për “Amore Giallorosso”:

“Mendoj se ka qenë një sezon shumë i çuditshëm, i ndikuar nga shkarkimi i De Rossit, i cili është një mik i ngushtë imi dhe ish-shok skuadre. Sezonin e kaluar ai bëri një punë shumë të mirë, madje nëse shohim rezultatet, performoi më mirë se Mourinho.

Fillimisht i bënë një kontratë 3-vjeçare, pastaj pas 4 javësh vendosën ta shkarkonin dhe të merrnin Juriq, i cili nuk arriti t’i jepte skuadrës impulsin e duhur. Sipas mendimit tim, mund të kishin vazhduar pa problem me Daniele. E ndjek gjithmonë Romën, është duke u rikuperuar disi, por ende nuk është Roma që ishim mësuar të shihnim”.

Roma e tij arriti në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve: “Në fakt, për katër ose pesë sezone ishim në nivelin më të lartë, kishim lojtarë të shkëlqyer. Kur mbërrita, aty ishin Benatia, Pjanic, Strootman; luanim me Gervinhon dhe Salah. Pastaj, më vonë erdhën shumë kampionë të tjerë. Në portë kishim Szczesny, i cili më pas u zëvendësua nga Alisson, kishim një drejtor sportiv të madh si Sabatini”.

Menaxhimi financiar në ato vite: “Duhej gjithmonë të shisnim për të blerë, por lojtarët që largoheshin, gjithmonë zëvendësoheshin në mënyrë të shkëlqyer. Sipas meje, kjo është ajo që i mungon Romës së sotme. Mendoj se ka lojtarë të mirë, por shumë pak futbollistë të nivelit të lartë”.

Vetëm Dybala do të kishte luajtur në atë Romë: “Do të përmendja edhe Angelino, më pëlqen, sepse ka një këmbë shumë të mirë. Pastaj janë Paredes dhe Pellegrini, të cilët ishin të rinj, por tashmë luanin me ne. Ishte e vështirë të përballeshe me atë Romë, sepse ishim një skuadër e fortë dhe linim shumë pak pikë rrugës.

Paradoksalisht, ishte më e lehtë të humbnim pikë kundër skuadrave të vogla sesa kundër të mëdhave. Shkonim në Milano dhe fitonim si kundër Milanit, ashtu edhe kundër Interit. Në vitet e fundit, Roma po has shumë vështirësi për të mposhtur ekipet e mëdha.

Kishim lojtarë si Totti, i cili përfaqësonte Romën, apo De Rossi, që transmetonte energji të jashtëzakonshme. Pastaj ishin Kolarov dhe Dzeko, lojtarë me karakter, të cilët të shtynin të jepje gjithmonë maksimumin”.

Marrëdhënia me tifozët romanistë: “Absolutisht po, ende e ndjej dashurinë e tyre dhe do të jetë gjithmonë kështu. U largova në një mënyrë paksa të veçantë, sepse ishte zgjedhja ime, por vetëm sepse ishte një drejtor (Monchi) që nuk ishte korrekt me mua. Më bënte të ndihesha i rëndësishëm, por gjatë verës firmoste mandate, në emër të Romës, për të më shitur në Turqi”..

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat