Që nga viti 2016, Bologna nuk e kishte mundur Milanin. Madje, që nga viti 2002 nuk i kishte mundur dot kuqezinjtë në “Dall’Ara”. Milani i Sergio Conceiçao e arriti edhe këtë record negative mbrëmë.
Ka pak për të thënë për ndeshjen, e humbur me përmbysje 2-1, pas avantazhit fillestar me golin e Rafa Leao. Një ekip që nuk arrin kurrë të qëndrojë i përqendruar për 90 minuta.
Tashmë, kualifikimi në Ligën e Kampionëve (edicioni i ardhshëm) është tejet në rrezik, jo për shkak të 8 pikëve distancë nga Juventusi, që teorikisht mund të rikuperohen ende, por sepse ekipet para Milanit në këtë moment të garës janë shumë. Aktualisht kuqezinjtë janë të tetët në Serie A, madje edhe jashtë Ligës së Konferencës.
Shpërthimi – “Të gjitha ditët, – deklaroi Conceiçao në konferencë, – flitet për mua, nëse jam i konfirmuar apo jo si trajner. Nëse klubi më largon, bëj gati valixhet dhe iki. Nuk jam i respektuar, jam shumë i kritikuar; shoh intervista të trajnerëve të tjerë në ditën e ndeshjes. Këto gjëra nuk do t’i bëja unë. Kam 13 tituj, gjithmonë kam luajtur mirë kundër ekipeve italiane, përveç Interit.
Nuk është se kam ardhur këtu nga asgjëja, unë dhe stafi im kemi nevojë për pak respekt. Jam këtu deri sa nuk e di se për sa kohë,
Milani qëndron mbi gjithçka, por kam nevojë për respekt. Kur kthehem nga Milanello, familja ime më pyet se çfarë po ndodh. Mund të flasim për futboll, por kur flitet për gjëra të tjera me urrejtje, nuk më pëlqen”.
Protesta – Pas humbjes së të shtunës së kaluar kundër Torinos, protesta nga “Curva Sud” shpërtheu përsëri dhe me forcë, duke mos lënë askënd pa e kritikuar. Si në fillim të ndeshjes, ashtu edhe në fund, u këndua kënga: “Cardinale, duhet të shesësh! Ik!” Për të kaluar pastaj tek ekipi me: “Jeni një ekip mu*i, na keni lodhur”, “shkoni dhe punoni”, “na keni mërzitur”.
Ekipi hyri në dhomat e zhveshjes me këtë kolonë zanore, ndaj është e mundshme të mendohet që edhe të dielën në mbrëmje, gjatë ndeshjes Milan-Lazio, tifozët nuk do ta humbin mundësinë për t’u dëgjuar zëri i tyre kundër pronësisë, drejtuesve dhe lojtarëve.