Refuzimi i Barcelonës nga Nico Williams ndoshta i është kthyer kundër, duke ndikuar tek ai.
Pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Athletic Bilbaon (8 gola dhe 16 asiste) dhe një Europiani të fituar si protagonist, krah Lamine Yamal, me Spanjën, këtë sezon anësori i majtë, i lindur më 2002 po përjeton shumë luhatje. Nga kjo kanë ardhur, në mënyrë të pashmangshme, kritikat ndaj tij. Vëllai i madh, Iñaki, ka dashur të ndërhyjë në mbrojtje të tij.
Në një intervistë për “Gol”, e dhënë pak ditë para përballjes me Atletico Madridin në “Metropolitano”, një ndeshje që mund t’i rikthejë baskët në garën për titullin e La Liga-s, ai u shpreh: “Nuk ka qenë e lehtë gjithçka që i ka ndodhur.
Është një djalë shumë i ri. Gjithçka i ka ardhur shumë shpejt. Të marrësh vendime i vetëm është gjithmonë e ndërlikuar, sidomos kur të vënë në gojë fjalë që nuk i ke thënë kurrë”. Referenca ishte në lidhje me mundësinë e transferimit të Nico Williams te Barça.
Por “vëllai i madh” Iñaki beson se Nico do të shpërthejë këtë sezon, sapo të lërë pas problemet fizike: “Duket sikur gabon kur zgjedh diçka që nuk është ajo që të gjithë presin. Tani ndihet mirë, e ka treguar këtë. Shpresojmë që ta ruajë këtë nivel deri në fund të sezonit”.
Ndërkohë, përveç rikthimit në garën për La Liga-n, objektivi i sezonit mbetet kualifikimi në Ligën e Kampionëve. Aktualisht, Athletic ndodhet në vendin e katërt me 48 pikë.