“Vijmë nga një dinamikë e mirë, por edhe Betis po ashtu. Ka shumë në lojë për të dyja skuadrat”.
Kështu u shpreh Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madridit, në konferencën për shtyp, në prag të sfidës së javës së 26-të të La Liga-s.
Nëse Betis fiton në shtëpi, mund të ngushtojë diferencën me Rayo Vallecano dhe t’i rrëmbejë vendin për në “Conference League”, ndërsa madrilenët vazhdojnë garën për titull kundër Barcelonës dhe Atletico Madridit.
Një nga pyetjet e ngritura për Ancelottin kishte të bënte me gjendjen e Valverdes, i cili nuk është stërvitur me grupin: “Nuk është as i dëmtuar dhe as një pushim i planifikuar. Ka shqetësime, nuk është rikuperuar plotësisht dhe nuk do të jetë kundër Betisit. Sidoqoftë, do të jetë gati për ndeshjen e radhës kundër Atletico Madridit”.
Për sa i përket mungesës së Bellingham, i pezulluar pas incidentit me frazën ‘fuck off’, Ancelotti komentoi: “Për Bellingham më duhet të flas, sepse më duket një padrejtësi, por nuk po zgjatem sepse mund ta pësoj”.
Në fund, një batutë për Kylian Mbappé, i cili mungoi në Kupën e Spanjës për shkak të heqjes së një dhëmbi: “Dhimbja e dhëmbit i ka kaluar. Mendoj se dhëmbin nuk do ta rikuperojë, por është mirë. Është gati për të luajtur (qesh)”.