Numrat tregojnë se Simone Inzagi e ka përmirësuar organikën e Interit. Performancat pozitive në sezonet e fundit dhe fitorja e disa trofeve kanë bërë që vlera e skuadrës zikaltër të kalojë nga 573 milionë euro në 681 milionë euro me një rritje prej 18.9%.
Të dhënat janë publikuar nga “Sky Sport” dhe të bazuara në vlerat e “Transfermarkt”. Që në sezonin e tij të parë, Inzagit iu larguan Lukaku dhe Hakimi dhe vlera e skuadrës shkoi nga 643 milionë euro në 573 milionë, pra 70 më pak. Në merkaton e ardhshme, lëvizjet kanë qenë të shumta dhe Interi me trajnerin aktual ka një bilanc pozitiv 99 milionë euro. Ka shpenzuar 271 milionë euro dhe ka arkëtuar 371 milionë euro.
Vetëm Sasuolo dhe Atalanta kanë bërë më mirë sesa Interi dhe në Europë asnjë skuadër e madhe nuk ka të dhëna kaq pozitive sa zikaltrit. Por ajo që bie në sy, është fakti që trajneri ka përmirësuar ndjeshëm vlerën e lojtarëve.
Dimarko kushtonte 10 milionë dhe tani është 60 milionë euro.
Lautaro ka kaluar nga 80 në 100 milionë euro, Bastoni nga 60 në 75 milionë, Çalhanoglu nga 35 në 40 milionë, Dumfris nga 16 në 20 për një total prej 109 milionë eurosh.
Ndërkohë që, për shkak të moshës dhe dëmtimeve të shumta, kanë zbritur disa nga vlerat e lojtarëve, si: De Vraj nga 50 në 7 milionë euro, Darmian nga 7 në 4 milionë dhe më shumë Korrea që nga 30 vlen vetëm 3 milionë euro.