Arbër Abilaliaj ka folur para ndeshjes që Partizani do të luajë në transfertën e Elbasanit. Trajneri i “demave” ka zbuluar se tre lojtarë kanë shfaqur shqetësime dhe akoma nuk dihet nëse do jenë të gatshëm.
Abilaliaj po ashtu tha se në vazhdim do shikohet Partizani që lufton për dy trofetë.
Ndeshja me Elbasanin –
Abilaliaj: Eshtë një sfidë shumë e rëndësishme për ne. Nuk vijmë nga një moment i mirë në kampionat, ndaj na duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe shumë të fokusuar. Mbi të gjitha duhet të jemi të gjithë bashkë për të arritur synimin që janë 3 pikët në këtë ndeshje.
Si paraqitet gjendja e skuadrës –
Abilaliaj: Në këtë moment që po flasim gjendja e skuadrës është përgjithësisht pozitive. Kemi disa probleme që do ti vlerësojmë deri në momentet e fundit. Flasim për 3 lojtarë të cilët kanë patur shqetësime nga ndeshja e fundit që kemi luajtur dhe ende nuk mund ta them nëse do të jenë të gatshëm për një ndeshje të vështirë si ajo e nesërmja.
Diferenca prej 9 pikësh nga Elbasani –
Abilaliaj: Mendoj se deri tani Elbasani ka zhvilluar një kampionat shumë të mirë. Eshtë një ekip për tu patur vlerësuar pasi ka mjaft kualitete brenda grupit. Ka një ambient shumë të mirë dhe një tifozeri që e mbështet. Për ne është shumë e rëndësishme të gjejmë vazhdimësi , grupi të fitoj besim nëpërmjet lojrave dhe rezultateve. Do të përballemi me një kundërshtar i cili do të kërkojë të arrijë fitoren, sikurse edhe ne do të japim 100% tonë për të arritur 3 pikët.
Sa e vështirë është të drejtosh Partizanin –
Abilaliaj: Të them të drejtën nuk është aspak e vështirë. Të drejtosh Partizanin është kënaqësi dhe privilegj. Grupi aktual është një grup i jashtëzakonshëm, futbollistë të cilët në të gjitha aspektet japin maksimumin.
Mendoj se ata shumë shpejt do të kthehen dhe të tregojnë formën e tyre më të mirë. Jemi në rrugën e duhur, fryma është shumë pozitive dhe shumë e rëndësishme në këtë pikë të sezonit që jemi. Javë pas jave besoj që do shikoni Partizanin e plotë, Partizanin i cili do të synojë për të luftuar të dy trofetë.