Derbi i xhiros së 18-të në Ligën e dytë do të luhet në Kumanovë (e shtunë, ora 14:00), ndërmjet Bashkimit të vendit të tretë dhe Arsimit të vendit të katërt, diferenca e pikëve mes tyre është vetëm tre pikë.
Dy skuadrat së bashku me Bregallnicën vazhdojnë të luftojnë për ngjitje direkte në Ligën e Parë. Të dyja skuadrat shënuan nga një fitore dhe një barazim në dy xhirot e para.
Arsimi në fundjavën e kaluar në Gostivar barazoi me Ohridin dhe në turin e parë pranveror fitoi tri pikë me rezultat minimal ndaj Bellasicës në Strumicë, ndërsa Bashkimi ka shënuar fitore në derbin ndaj Makedonija GJP në Shkup dhe barazoi në teren të vet me Borecin.
Golashënuesi më i mirë për Bashkimin është mesfushori Husein Demir me tetë gola, ndërsa për “verdhezinjtë” Albin Ramadani me dhjetë.
Deri tani këto dy skuadra kanë zhvilluar tri ndeshje, Arsimi ka fituar në dy takime, ndërsa Bashkimi ka fituar një, atë të fundit në Gosivar.