Jorgo Pëllumbi ka qenë një prej elementëve më premtues të akademisë së Skënderbeut, duke luajtur edhe me ekipin e kohës së artë, derisa u shit në Kroaci te NK Varazhdin në vitin 2020.
Pasi luajti dy sezone të shkëlqyera në elitën e futbollit kroat, 24-vjeçari u transferua te klubi i madh hungarez, Debreceni, që shpenzoi 115 mijë euro për blerjen e kartonit.
Gjatë këtij kampionati, mbrojtësi që luan me këmbën e majtë, është aktivizuar në 14 ndeshje me fanellën e Debrecenit, ndërsa ka arritur të shënojë edhe një gol.
Statistikat e korçarit janë pozitive, me 1060 minuta në fushë, teksa i vetmi problem në Hungari për të është fakti që Debreceni po kalon një moment jo të mirë dhe aktualisht lufton për mbijetesë. Skuadra e Pëllumbit ndodhet në vendin e parafundit me 19 pikë dhe në rast se këtë sezon nuk arrin të mbijetojë, duket e sigurt që Pëllumbi do të largohet.
“Panorama Sport” mëson se në adresë të mbrojtësit kanë mbërritur oferta konkrete që tani, nga kampionate edhe më të forta në Europë. Mirëpo, gjithçka do të varet edhe nga e ardhmja e skuadrës, pasi me një qëndrim të Debrecenit në elitën e futbollit hungarez, Pëllumbi mund të vazhdojë kontratrën.
Korçari ka qenë pjesë e padiskutueshme e Kombëtareve të moshave dhe është potencial për të qenë edhe në ekipin e Silvinjos.