Projekti “Step by Step” vazhdon çdo javë në “Shtëpinë e Futbollit”, ku trajnerët e ekipeve kombëtare stërvisin dhe vëzhgojnë ecurinë e futbollistëve më të talentuar të klubeve dhe akademive shqiptare.
Ky program i veçantë ka si qëllim të përfshijë lojtarët më premtues të grupmoshave U-15, U-17 dhe U-19, që jetojnë dhe luajnë në Shqipëri.
Këtë javë ishte radha e futbollistëve të grupmoshës U-17, të cilët u stërvitën nën drejtimin e trajnerit të Kombëtares U-17, Andrea Tedesco.
Stërvitja u fokusua në aspektet fizike, teknike dhe taktike, ndërsa trajneri ndoqi nga afër gjendjen e lojtarëve në prag të grumbullimit zyrtar që Shqipëria U-17 ka në mars për raundin e dytë të kualifikueseve.
Kuqezinjtë janë pozicionuar në Grupin B6, së bashku me Uellsin dhe Azerbajxhanin, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen në vendin tonë më 19, 22 dhe 25 mars.