“Ndeshja e mbrëmshme ishte një përballje e nivelit të lartë, një ndeshje e vërtetë e futbollit gjerman të nivelit të lartë. Mos harroni se nuk është kurrë e lehtë të luash në transfertë ndaj Stuttgart”.
Këto ishin fjalët e Vincent Kompany, trajnerit të Bayern Munich, pas fitores 3-0 në ndeshjen hapëse të javës së 24-t në Bundesliga.
Bavarezët triumfuan në transfertë me golat e Olise, Goretzka dhe Coman, duke e çuar në 10 ndeshje serinë e tyre të pamposhtur në kampionat.
“E shijova shumë këtë fitore, – shtoi trajneri i “Die Roten” për kanalet zyrtare të klubit. – Stuttgart e nisi ndeshjen më mirë se ne, por më pas patëm një rast të madh në pjesën e parë. U rritëm në lojë dhe u bëmë kërcënues gjatë gjithë pjesës së dytë. Ndonjëherë ndeshjet shkojnë kështu.
Në fund, u mbrojtëm me forcë dhe treguam karakter të madh, gjë që është thelbësore për të fituar.
Sigurisht, objektivi ynë është të fitojmë trofe, por duam të jemi gjithmonë të fortë. Më e rëndësishmja është të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të kemi besim te puna që po bëjmë”.