“Ky Milan nuk është një skuadër. E them me keqardhje, sepse e dini sa shumë e dua këtë klub, por fatkeqësisht nuk mund ta shmangësh të vërtetën.
Në Bologna kishte 11 lojtarë të shpërndarë në fushë, pa asgjë që t’i mbante të bashkuar, pa një lojë, pa një ide”.
Analizë e ashpër dhe e prerë nga Arrigo Sacchi, ish-trajneri legjendar i kuqezinjve, në intervistën e tij për “Gazzetta dello Sport”, në lidhje me periudhën zhgënjyese të Milanit, me kualifikimin në Champions League (për edicionin e ardhshëm) seriozisht në rrezik.
A ka mbaruar epoka e Conceiçao?
Nuk mendoj se klubi e sheh atë si trajner për të ardhmen, por ky është thjesht mendimi im.
Si një vëzhgues i jashtëm dhe si i dashuruar pas Milanit, vërej disa gjëra.
Gjatë verës, kuqezinjtë donin një trajner, Lopetegui, i cili u refuzua nga tifozët. Pastaj u kthyen te Fonseca. Ata blenë pesë lojtarë të huaj. Më pas larguan Fonseca, morën Conceiçao dhe transferuan edhe pesë lojtarë të tjerë. Rezultati është i njëjtë; Milani nuk është bërë kurrë një skuadër.
Cilin do të zgjidhnit për stolin kuqezi, sezonin e ardhshëm?
Një mjeshtër, mendoj për Sarrin ose Conten. Më pëlqen edhe Baroni i Lazios dhe po ndjek me vëmendje e kureshtje zhvillimin e Fabregas. E rëndësishme është të vijë një trajner që i jep skuadrës një stil loje të qartë.