Pa presion kundër Interit

Futboll

Pa presion kundër Interit

Më: 1 mars 2025 Në ora: 15:02
Antonio Conte

Antonio Conte kërkon që skuadra e tij ta luajë pa presion ndeshjen kundër Interit.

Trajneri i Napolit thotë se është një sfidë influencuese për klasifikimin dhe për të ardhmen e kampionatit.

Ai vazhdon të jetë në dilemë për qasjen që do të ketë skuadra e tij në këtë sfidë, nëse duhet që të përdorë teknikën në qarkullimin e topit apo aspektin fizik.

SFIDË TITULLI- “Përtej klasifikimit, prisja që Napoli im të merrte formë pas 7 muajsh.

Fakti që gjendemi në këtë situatë, më mbush me krenari, por nuk duhet të na bëjë presion.

Ashtu u kam thënë edhe djemve. Ndonjëherë ka pozitivitet dhe herë të tjera nuk ka. Për këtë kam thënë që duhet të shijojmë momentin, sepse këtë klasifikim po e meritojmë me punë”.

RËNDËSIA- “Mund të them që kjo ndeshje është influencuese për të ardhmen, por edhe për klasifikimin sepse janë 3 pikë dhe skuadrat e tjera janë afër”.

SHKURTI- “Unë do të thosha që muaji më i vështirë ka qenë gushti dhe jo shkurti. Ne kemi punuar gjithmonë dhe kemi bërë analiza pas ndeshjeve. Lojtarët e dinë që unë zemërohem shpesh, por edhe ata ishin të mërzitur për situatën. Të gjitha ndeshjet i kemi fituar me djersë dhe jo 5-0 si skuadrat e tjera. Nuk duhet të dorëzohemi asnjë çast”.

ANGISA- “Pyetje e bukur për mungesën e tij. Kam një javë që mendoj për qasjen e ndeshjes, nëse do të na duhet më shumë teknikë në qarkullimin e topit apo në aspektin fizik. Mund të jenë të dyja strategji të duhura, por ne do të bëjmë zgjedhjen më të mirë. Dëmtimet bëjnë pjesë në rrugëtimin e një sezoni”.

RASPADORI- “Xhakomo mund të jetë sulmues i dytë. Mund të jetë një fantazist ose një mesfushor qendre në linjën me 3. Ka karakteristika për ta bërë këtë rol, sepse vrapon 12 kilometra çdo ndeshje. Kur luanim 4-3-3, ai ishte një alternativë për Angisan ose MekTominejn”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat