Tirana do të përballet ditën e nesërme me Dinamon në derbin e kryeqytetit, e vlefshme për javën e 27-të të Kategorisë Superiore. Përpara sfidës me dinamovitët, trajneri i bardhebluve Bledi Shkëmbi doli në konferencë për shtyp për mediat.
“Pozitat nuk janë të favorshme, patjetër që duhet të jemi në maksimumin tonë pavarësisht kundërshtarëve.
Ky kampionat po tregon që nuk ka diferenca, mund të të mundë edhe ajo skuadër që ndoshta e mendon pak më të dobët, përtej faktit që Dinamo është skuadër goxha e fortë, që ka bërë mirë, që ka moral dhe është kualifikuar në Kupë. Ajo që duam ne dhe po bëjmë gjatë gjithë javës është që të jemi të gjithë në maksimumin tonë dhe të gabojmë sa më pak.
Gjendja është e mirë, si skuadër jemi më e plotë se javët që kanë kaluar, edhe lojtarët që kanë pasur probleme fizike, veç Abah që vuan probleme të vogla në gju, pjesa tjetër është OK. Shpresojmë që edhe në stërvitjen e fundit ta kalojmë mirë dhe të përgatitemi për ndeshjen.
E kam thënë gjithmonë që ne nuk kemi e nuk duhet të kemi justifikim. Në një garë ka gjithmonë presion. Patjetër që ne e kemi, por e them në kuptimin e mirë. Jemi në situatë jo të mirë, jemi të detyruar më shumë të fitojmë ndeshjen, për vetë pozitat që kemi ne e ka kundërshtari. Kemi folur gjatë javës me futbollistët që të kuptojnë që nuk ka justifikim të paktën nga ana psikologjike. Ne duhet të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë të mundshme për të marrë pikë.
Sinqerisht, të gjithë kundërshtarët janë të rëndësishëm, nuk shohim ndonjë që mund ta mendojmë më të thjeshtë a më të fortë. Javë pas jave duhet të bëjmë maksimumin, kanë mbetur 10 ndeshje që duhet t’i shikojmë si finale. E para është kjo me Dinamon. Jam i bindur që do të bëjmë ndeshje të mrië, që do të bëhet një ndeshje e mirë sepse janë dy skuadra mendoj që kërkojnë të luajnë futboll të mirë”, u shpreh Shkëmbi.