FFK shpall më të mirin e javës së 22-të në Superligë

Futboll

FFK shpall më të mirin e javës së 22-të në Superligë

Më: 4 mars 2025 Në ora: 11:05
Arlind Veliu

Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, kanë ndarë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 22-të në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Malisheva, Arlind Veliu.

Veliu, përpos që shënoi një gol të bukur, u shqua me ndërhyrjet e tij në mbrojtje, duke qenë më meritori për fitoren e FC Malisheva kundër FC Ballkani (3:1), shkruan KosovaPress.

Pasi mori këtë çmim, Veliu u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës: “Jam shumë i lumtur për këtë vlerësim dhe do të vazhdoj të jap maksimumin për ekipin tim. Ishte një gol vendimtar, i cili na ndihmoi të sigurojmë tre pikë të rëndësishme. Do të vazhdojmë të japim maksimumin në çdo ndeshje, duke u përpjekur të paraqitemi sa më mirë dhe të arrijmë objektivin tonë. Shpresoj që do të luftojmë deri në fund për titullin kampion dhe pse jo, të sigurojmë edhe daljen në Evropë. Është kënaqësi e madhe për mua të luaj me Malishevën dhe ëndrra ime është që ta përfaqësojmë sërish klubin në garat evropiane”, thotë Veliu për faqen zyrtare të FFK-së, përcjellë KosovaPress.

“Ky çmim është një motiv shtesë për mua, për të vazhduar të punoj dhe të ndjek synimet e mia për të luajtur në Evropë. Shpresoj që ky sezon të jetë një nga më të mirët dhe të arrijmë suksesin që e dëshirojmë të gjithë”, ka përfunduar ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat