Totti: Për të fituar titullin te Roma duhen trajnerë të mëdhenj

Futboll

Totti: Për të fituar titullin te Roma duhen trajnerë të mëdhenj

Më: 4 mars 2025 Në ora: 14:27
Francesco Totti

Francesco Totti, i ftuar special në emisionin “Viva el Futbol”, analizoi situatën aktuale të Romës dhe çfarë do t’i duhej për të konkurruar në nivelet më të larta: “Për të fituar titullin te Roma duhen trajnerë të mëdhenj, por mbi të gjitha lojtarë të mëdhenj. Duhet diçka më shumë se ajo që shoh sot. Aktualisht, Roma e meriton vendin e pestë apo të gjashtë, jo më shumë. Ka skuadra më të forta në këtë moment”.

Duke folur për emrat e mundshëm, Totti e bëri të qartë se zgjedhja e tij ideale do të ishte Carlo Ancelotti, por nuk e sheh rikthimin e tij si të realizueshëm: “Romës i duhet Ancelotti, por ai nuk vjen. Dhe nëse do të vinte, e para gjë që do të thoshte do ishte: Cila është skuadra? Sepse me këtë skuadër nuk vij, duhet ndryshuar ‘shtylla kurrizore’.

Nëse do të isha unë drejtor teknik, do përpiqesha ta bindja atë. Dhe nëse i bie telefonit unë, është ndryshe nga të tjerët”.

Ndërsa për Gasperinin, teknikun aktual të Atalantës, ish-kapiteni verdhekuq nuk është shumë i bindur: “Është një trajner i mirë, por nuk më bind. Nuk do të mund të luaja kurrë me stilin e tij, që mbulon gjithë fushën”.

Një tjetër emër që i pëlqen është De Zerbi, por ai do të ishte një ‘bast’ i madh për ambientin roman: “Më pëlqen shumë De Zerbi, por te Roma do të ishte në pikëpyetje. Atje janë mësuar me trajnerë mesatarë…”

Diskutimi nuk mund të shmangte José Mourinhon, një temë që shpesh ka ndarë mendimet mes Tottit dhe Antonio Cassanos. Ish-kapiteni romanist e mbrojti portugezin: “Mourinho është një nga më të fortët në botë, edhe pse ti mendon të kundërtën.

Ti je ai tipi i tifozit që do lojë të bukur, por nuk fiton asgjë. Unë jam e kundërta jote. Allegri, Ancelotti apo Mourinho nuk luajnë futboll të bukur, por dinë t’i vendosin lojtarët në fushë dhe të fitojnë. Në futboll, rëndësi ka rezultati. Mourinho me Romën ka luajtur dy finale europiane, çfarë mund t’i thuash?”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat