Teksa verën e kaluar trajneri Hansi Flik e bëri të qartë se është i gatshëm t’i jap Ansu Fatit një tjetër shans tek Barcelona dhe foli mirë për të në parasezon, 22-vjeçari ka mbetur i lënë anash në klub.
Fati ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij dhe duket një mundësi reale që të largohet, por kjo ka mbetur vetëm çështje kohe.
Blaugranasit i dhuruan atij një kontratë luksoze duke e bërë njërin ndër lojtarët më të paguar në klub, por që prej atëherë, lëndimet i kanë shkaktuar dëme si në aspektin fizik ashtu edhe mendor.
Këtë sezon ai është paraqitur për vetëm 186 minuta në tetë ndeshje ku në vetëm një prej tyre ishte titullar. Pasi e humbi muajin e parë të sezonit shkaku i një lëndimi në këmbë dhe një muaj më shumë me një problem muskulor në nëntor dhe dhjetor, Fati kishte mbetur tërësisht jashtë skuadrës për 11 ndeshje këtë sezon, pavarësisht se nuk kishte lëndime.
Ky ishte një mesazh i qartë se ai nuk është më në planet e klubit. E përditshmja katalanase “Sport” ka raportuar se për disa muaj me radhë, as Flik, as Barcelona dhe as Horhe Mendes nuk arritën ta bindin të largohet.
Sidoqoftë, paga e tij dhe vështirësitë me kufirin e pagave, kanë bërë që Barcelona të jetë e etur që ta sigurojë largimin e tij në verë dhe tashmë ka nisur përpjekjet e para në këtë drejtim. Informacioni i tyre është se përmes agjentit Horhe Mendes, Barcelona ka kontaktuar me Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që të përpiqen të sigurojnë një klub të ri për të në verë.
Barcelona po ashtu do të ishte e hapur edhe për një huazim, por vetëm në rast se klubi i interesuar do të mbulonte gjysmën e pagës së tij.