Ilir Daja para Egnatias: Koha nuk ka qenë në favorin tonë

Futboll

Ilir Daja para Egnatias: Koha nuk ka qenë në favorin tonë

Më: 4 mars 2025 Në ora: 16:42
Ilir Daja

Dinamo do të luajë këtë të mërkurë në transfertë përballë Egnatias ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të Superiores. Supersfida që do të zhvillohet në stadiumin “Arena Egnatia”, do të startojë në orën 16:30.

Në prag të këtij dueli vendimtar për kreun ka folur trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja. Ky i fundit e sheh mjaft të vështirë ndeshjen përballë Egnatias, duke theksuar se janë me meritë në vendin e parë. Gjithashtu Daja tregon edhe gjendjen e ekipit të tij.

“Kemi përpara një ndeshje goxha të vështirë, sepse Egnatia me plot meritë kryeson klasifikimin dhe është kampione në fuqi. Edhe Vllaznia e Partizani kanë bërë kampionat të mirë, edhe Elbasani duke hapur pak garën. Jemi 4-5 ekipe që luftojmë në pjesën e sipërme të renditjes.

Egnatia ka një manovër të konsoliduar dhe meritë ka trajneri dhe stafi i tij. Ka një kontigjent me role të dubluara. Tani ka edhe një stadium të ndriçuar, që i ka dhënë më shumë bukuri dhe e ka kompletuar si klub.

Përtej të gjitha këtyre, edhe ne jemi një ekip që kemi bërë mirë. Vijmë nga një anë psikologjike e mirë, po na rikthehen lojtarët, pavarësisht se edhe këtë herë kemi mungesa.

Do të jetë një lojë e hapur, sepse diferencën e golave e kemi të barabartë. Shpresoj të bjmë sa më pak gabime. Nëse lëmë hapësira, lojtarët e Egnatias bëjnë dëm në çdo moment.

Duhet përqendrim për të tentuar maksimumin edhe në Rrogozhinë. Ndeshja nuk i ngjan ndeshjes. Barazimi i fundit nuk ka ndikuar tek Egnatia. Edhe ne kemi potencialin e duhur për të bërë mirë në Rrogozhinë, i kemi të gjitha mundësitë. Kemi edhe ne individë që mund të dëmtojnë. Do të jetë spektakli brenda, kush do të jetë më pragmatist, do të shkojë te fitorja.

Mund të ishte bërë një shpërndarje më e rregullt e ndeshjeve, të them të drejtën. Të kishim 3-4 ditë në dispozicon për ndeshjen e radhës, ne dhe gjithë të tjerët. Të dielën kishim derbin, të hënën një seancë riaftësuese dhe sot një ditë para ndeshjes. Koha nuk ka qenë në favor as për ne dhe as për kundërshtarin. Duhet të tentojmë të marrim drejtimin e lojës.

Kemi dy mungesa, kemi edhe një lojtar që po rikuperohet. Kemi të njëjtin kontigjent si në derbin me Tiranën. Po të ishte një kampinat pa ‘Final 4’, kjo ndeshje do të ishte shumë e rëndësishme për të dy ekipet. Është edhe një parapërgatitje për ‘Final 4’”, është shprehur Ilir Daja në prag të supersfidës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat