Lage thotë se Barcelona mund të kalohet nga Benfica

Futboll

Lage thotë se Barcelona mund të kalohet nga Benfica

Më: 4 mars 2025 Në ora: 19:26
Bruno Lage

Trajneri i Benfica, Bruno Lage, ka premtuar se skuadra e tij do të mbetet besnike ndaj stilit të saj sulmues kur të përballet sërish me Barcelona në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave të Champions League.

Sipas tij, edhe katalanasit do ta ndjekin të njëjtën qasje.

Barcelona dhe Benfica tashmë kanë dhuruar një nga ndeshjet më spektakolare të sezonit, kur në fazën e parë të Champions League kishin prodhuar një "thriller" me nëntë gola. Benfica kishte humbu 5-4 pas një goli të Raphinha në kohën shtesë. 

"Nuk mund të parashikoj sa gola do të shënohen, por mund të them se do të jetë një ndeshje e shkëlqyer futbolli, sepse janë dy ekipe që e kanë sytë te sulmi", ka deklaruar Lage në konferencën për shtyp të martën.

Tekniku portugez e ka pranuar se do të jetë një përballje e vështirë, por ekipi i tij do të kërkojë fitoren. "Sigurisht, rezultati i nesërm është i rëndësishëm, por ai i ndeshjes së kthimit do të jetë më vendimtar. Po përballemi me një skuadër të madhe që shënon shumë gola, por edhe ne kemi bërë gjëra pozitive ndaj këtij kundërshtari: kemi krijuar shumë raste, kemi qenë shpesh përballë portierit... besojmë se mund ta kalojmë këtë fazë", ka thënë ai.  

Lage e ka theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirave që lë Barcelona: "Do të përpiqemi të gjejmë hapësirat që na ofron kundërshtari, sepse ata shpesh e bëjnë këtë. Duhet të dimë si të shfrytëzojmë hapësirat që do të na japë Barcelona, ky do të jetë çelësi", ka thënë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat