Realin e pret punë e madhe në ndeshjen e kthimit

Futboll

Realin e pret punë e madhe në ndeshjen e kthimit

Më: 5 mars 2025 Në ora: 16:27
Carlo Ancelotti

Carlo Ancelotti u shfaq i kënaqur me rezultatin 2-1, por i vetëdijshëm se ende nuk është vendosur asgjë për kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Ai e di që në “Metropolitano” do të duhet të vuajnë në kthim, por beson se do të dalin me sukses dhe do të avancojnë në raundin tjetër.

Trajneri italian bëri analizën e ndeshjes së mbrëmshme për “Movistar Plus”: “Ishte një ndeshje e vështirë, siç ndodh gjithmonë kundër Atletico Madridit.

E nisëm mirë, më pas Julián shënoi një gol të shkëlqyer. Në pjesën e dytë u paraqitëm më mirë, punuam mirë dhe synimi ishte të merrnim një avantazh të vogël, gjë që e arritëm”.

Plani i lojës – “Plani fillestar ishte të luanim nga krahët me Vini dhe Rodrygo, për të sulmuar. Na doli mirë në aksionin e parë, por më pas humbëm durimin dhe u përpoqëm të shpejtonim lojën në vend që të ndiqnim të njëjtin model, duke i mbajtur kundërshtarët të mbyllur në gjysmëfushën e tyre. Skuadra punoi mirë, mbrojtëm siç duhej. Atletico pati kontrollin në disa momente, por nuk krijoi shumë raste”.

Pse u anulua zëvendësimi i Modric – “Nuk ishte Brahim ai që duhej të dilte, por Camavinga. Pritëm pak, por ndryshimi ishte i planifikuar, sepse Camavinga kishte një shqetësim në shpinë. Më pas Modric hyri me cilësinë dhe eksperiencën e tij”.

Ndeshja e kthimit në “Metropolitano” – “Ndeshja ishte e vështirë sot, imagjinoni të mërkurën si mund të jetë… Kemi një avantazh të vogël dhe duam të kalojmë më tej. Do të jetë një ndeshje e luftuar, Atletico Madridi do të shtojë presionin, por do të jetë e balancuar. Cilësia e të dyja ekipeve është shumë e lartë. Po luajmë në 1/8 finale, por kjo përballje mund të ishte fare mirë një gjysmëfinale apo finale. As ne nuk jemi të lumtur që luajmë kundër Atletico Madridit, as ata nuk janë të kënaqur që na kanë përballë në këtë fazë”.

Si e vlerëson ekipin e tij – “Sonte punuam, vrapuam shumë dhe bëmë diferencën. Rodrygo dhe Brahim ishin më të mirët. Nuk ushtruam shumë presion, por nuk ishte kjo ideja. Atletico Madridi kishte kontroll në disa momente, por nuk krijoi shumë raste”.

A priste më shumë – “Jo, nuk mund të them që mungoi diçka. Kjo është një ndeshje e nivelit më të lartë, si një gjysmëfinale apo finale. Atletico Madridi është një skuadër shumë e fortë dhe nuk mund të mendosh ndryshe. Ky rezultat na jep besim”.

Ndeshja e dobët e Mbappé dhe Vinicius – “Nuk është e lehtë të luash kundër mbrojtjes së Atletico Madridit. Kishim një rast të mirë me të dy në fund, megjithatë ata punuan dhe luftuan fort. Nuk treguan gjithë cilësinë e tyre, por e kanë ndeshjen e kthimit përpara për ta treguar veten”.

A do të rikthehet Brahim në stol – “Nuk është e vërtetë që do të ulet në stol. Nuk mund të them se është i pazëvendësueshëm, por është shumë i rëndësishëm për ne. Shfrytëzon çdo minutë që i jap dhe do të luajë sa herë që më nevojitet”.

A ishte Mbappé i dëmtuar – “Jo, ishte mirë, nuk kishte asnjë problem. Vetëm një shqetësim me dhëmballën, që nuk e lejoi të stërvitej për tri ditë. Nuk ishte në formën më të mirë kundër Betis, por kjo ndeshje do ta ndihmojë për ritmin”.

Efektiviteti i ulët në goditjet standarde – “Sezonin e kaluar kishim Kroos dhe një sulmues si Joselu që na ndihmonte shumë në këtë aspekt. Këtë vit kemi shënuar disa gola nga skemat, por vazhdojmë të punojmë për këtë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat