Egnatia ka fituar në shtëpi përballë Dinamos në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena Egnatia”, ka përfunduar 2-0 në favor të vendasve. Në përfundim të ndeshjes ka folur trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja.
“Egnatia e meritoi fitoren. Bëri një pjesë të parë shumë të mirë dhe në pjesën e dytë u tërhoq në gjysmëfushë për të mbrojtur rezultatin. Ajo që nuk shkoi me ne është se kemi pasur kontigjent të limituar dhe me ndeshjet e ngjeshura, nuk kishim shumë energji.
Të luash të dielën derbin dhe më pas me Egnatian, është e lodhshme. Ne e kemi përballuar me 10-12 veta sepse 4-5 veta i kemi pasur të dëmtuar. Kjo jo për justifikim, por Egnatia në pjesën e parë ishte më e freskët se ne. Ne nuk kishim energji.
Të jemi koshientë ndeshjen e kemi përgatitur vetëm teorikisht. Ne nuk kemi pasur asnjë moment për të përgatitur ndeshjen. Egnatia ka një kontigjent më të plotë se ne në këtë moment, pasi ne kemi pasur dëmtime gjatë gjithë kohës. Ne kemi punuar me grupin për të bërë disa gjëra që i kemi bërë edhe më përpara. Kur lojtarët s’kanë energji, nuk kanë çfarë manovre të shfaqin në lojë.
Zabërgja? Lorran dhe Zabërgja janë dy lojtarët që pothuajse i kanë bërë të gjitha ndeshjen 90 minutëshe. Por në zonën që luan Zabërgja, duhet të jetë linja e mbrojtjes bashkë me mesfushën që ta ndihmojnë. Por kjo nuk ndodhi pasi ne e humbnim topin që në mbrojtje për shkak edhe të presingut të Egnatias. E kishim të vështirë të nxirrnim topin në zonat ku Zabërgja bëhet i rrezikshëm.
Bruno Dita? Nuk është akoma gati, po të ishte sigurisht që do ishte në fushë. Është lojtar i rëndësishëm për ne, kapiteni i ekipit. Ne mezi mbajmë edhe Itodon me minutazh të madh pasi dhe ai vjen nga dëmtimi. U detyrova për zëvendësimet pasi kundërshtari u tërhoq në gjysmëfushën e vet. Nëse edhe ne do kemi kontigjentin e plotë ashtu si Egnatia…
Personalisht në drejtimin e Dinamos kam një fitore, një barazim dhe një humbje me Egnatian e këtij viti. Është e avantazhuar si kampione, ka eksperiencë si grup në fitimin e titullit, por me një ndeshje mund të ndodhë gjithçka, por nuk e kemi frikë”, u shpreh Ilir Daja.