Trajneri i PSG-së Luis Enrique ka dhënë reagimin e tij për humbjen 1-0 kundër Liverpool-it në ndeshjen e parë të fazës 1/16-tës së Ligës së Kampionëve.
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique u ankua për humbjen 'e padrejtë' të skuadrës së tij ndaj Liverpoolit.
“Reds” janë në pozitë komode para ndeshjes kthyese pasi fituan 1-0 në ndeshjen e parë në “Parc des Princes”. Skuadra e Arne Slot u dominua gjatë gjithë kohës nga një sulm i fuqishëm i PSG-së por ishte portieri Alisson Becker heroi i skuadrës angleze.
Por sulmet e fuqishme të skuadrës franceze u zhvleftësuan në tre minutat e mbetura kur zëvendësuesi i Liverpool, Harvey Elliott shënoi për të dhënë një triumf të shkëlqyeshëm skuadrës angleze.
Dy skuadrat do të takohen në ndeshjen e kthimit në “Anfield” të martën dhe ish-trajneri i Spanjës është zotuar se lojtarët e tij do të marrin pikat pozitive në atë përballje.
“Është shumë e padrejtë. Ishte një lojë shumë e kompletuar nga ne, ndoshta ndeshja jonë më e kompletuar në Champions League. Në pjesën e parë, golat e pritur ishin totalisht në favorin tonë. Ata goditën një herë dhe shënuan. Lojtari i tyre më i mirë ishte portieri Alisson. Është pak e çuditshme, por ndihem shumë krenar për ekipin tim, lojtarët dhe tifozët. Kishte një atmosferë të mrekullueshme, por futbolli ndonjëherë është i padrejtë. Duhet të shënosh. Do ta marrim në një mënyrë pozitive dhe do të mendojmë për ndeshjen e kthimit në Liverpool”, ka thënë Enrique pas ndeshjes.
"Nuk ka asgjë për të shpjeguar, ne ishim shumë më mirë se Liverpooli. Shumë më mirë! E përsëris, por lojtari i tyre më i mirë ishte portieri. Ne ishim vërtet më të mirë se Liverpooli por ata fituan. Nëse doni të shihni negativin, unë nuk e shoh atë. Jam shumë krenar për ekipin tim dhe lojtarët e mi. Ka mbetur një ndeshje e dytë në Liverpool, ne nuk do të dorëzohemi", tha në fund ai.